Emergjenca është e gatshme, luten që të mos ketë të lënduar

Qendra Emergjente e QKUK-së është e përgatitur për t’u ndihmuar të lënduarve eventualë nga protesta e sotme, edhe pse kjo protestë po zhvillohet pa ndonjë incident.

Lajme

18/04/2015 15:20

Dr Avdush Bajgora, mjeku kujdestar në QKUK thotë se të gjitha klinikat dhe Qendra Emergjente janë të gatshme për të pranuar të lënduar nëse ndodhë që protesta e opozitës që po zhvillohet sot eskalon.

“Lutemi që të mos ketë të lënduar por ne jemi të përgatitur dhe kemi marrë masa të mëdha. Që të jemi të përgatitur për këtë ditë dhe QKUK-ja në përgjithësi tu fillu prej qendrës emergjente është e përgatitur me shtretër, me material shpenzues dhe me të gjitha gjërat që nevojiten për diagnostifikimin dhe trajtimin e pacientëve kërkojnë ndihmë në Qendrën Emergjente,” thotë Bajgora për KALLXO.com.

Ai tregon se edhe autoambulancat janë të gatshme që në rast nevoje të shkojnë në pjesët e Prishtinës ku po protestohet.

“Ne nuk i dërgojmë autoambulancat në qendër të qytetit. Atë detyrë e ka mjekësia urgjente. I kemi gjithsej tri deri në katër autoambulanca këtu,” shpjegon mjeku kujdestar.

Protesta e sotme aktualisht po zhvillohet pa incidente.