Elefanti kosovar

Elefanti i njohur politik dhe diplomatik, në aktualitetin tonë, ka trajtën e bllokimit të shtetit të Kosovës, nëse së shpejti nuk bëhen Kuvendi dhe Qeveria.

Opinion

29/10/2014 18:45

Rrëfimi për elefantin në dhomë ka referenca dhe motërzime të shumta në politikë dhe në diplomaci, me një të vetmen porosi: Ata që janë duke u preokupuar me një temë a me një çështje, ndodh, në zhbirim a në sqarim të detaleve, ta harrojnë kryeproblemin, i cili është i madh sa një elefant dhe i cili nuk ka si të fshihet.

Elefanti në aktualitetin tonë politik ka trajtën e funksionimit të shtetit të Kosovës, tash e tutje, nëse brenda pak javësh nuk bëhen institucionet qendrore të vendit, Kuvendi dhe Qeveria.

Shumëkush mund të shtojë këtu që diç e tillë dihet prej të gjithë neve, apo, ky lajm tashmë qarkullon 24/7 në mediat dhe në politikën kosovare.

Saktë. Por ai (lajm) sa vjen e merr forma edhe më të rrezikshme, përditë e më shumë, apo, tashmë pasi që do të hymë në stinën e dimrit, ka potencial tej mase problematik, për ta ndërruar shfaqjen e tij prej një topthi të vogël bore në një ortek që përmbytë gjithçka para vetes.

Ta zëmë, deri para pak ditësh është menduar që shteti i Kosovës, megjithatë, nuk do të mbyllet, në aspektin e funksionimit financiar, para 1 marsit apo 1 prillit të vitit të ardhshëm, apo, njëfarë minimumi i funksionimit buxhetor do të mund të garantohet nga ana e Qeverisë në detyrë, edhe pa konstituimin e Kuvendit të Kosovës, për dy muajt e parë të vitit vijues. Thënë më ndryshe, rrogat në sektorin publik do të merreshin përfundimisht më 1 mars, ndërsa shteti do të pushonte së operuari, në mungesë të parave, po ashtu më 1 mars 2015.

Por, sipas leximeve të fundit të Ligjit për menaxhimin e financave publike, po del që edhe një masë e këtillë emergjente për buxhetimin e shtetit, e cila mund të propozohet nga ana e Qeverisë së Kosovës, nuk mund të hyjë në fuqi pa një vendim të Kuvendit të Kosovës. Kjo do të thotë që poqe se nuk do të ketë Kuvend të Kosovës, në fuqi, në dhjetor  (ta zëmë), rrogat e muajit dhjetor do të jenë të fundit që mund të jepen për sektorin publik, ndërsa 1 janarin e vitit 2015 shteti i Kosovës do ta priste me duar në xhepa, pa të drejtë të përdorimit të një euro të vetëm në mënyrë të ligjshme.

Poqe se politika kosovare do t’ia mësynë të organizojë zgjedhjet e reja parlamentare, data e fundit e të të cilave është realisht 7 dhjetori  (datat e mëpasme janë shumë problematike, në të gjitha aspektet e mundshme), sërish duhet të ketë vendim të Kuvendit të Kosovës për buxhetimin emergjent dymujor të shtetit, në janarin dhe shkurtin e vitit të ardhshëm, për ta parandaluar mbylljen e përkohshme financiare të shtetit.

Sa për atë se çfarë mund të sjellin zgjedhjet e reja në politikën kosovare, diç e tillë është po aq lehtë e parashikueshme. Për më shumë, të gjithë po thonë që votimet e reja nuk i duhen Kosovës, se ato janë të kota dhe të gabueshme, në versionin optimist, apo të dëmshme dhe të rrezikshme, në versionin optimist. Por të gjithë shtojnë, njëkohësisht, që janë të gatshëm për t’i hyrë zgjedhjeve, edhe pse objektivisht njëri prej dy segmenteve kyç në funksionimin e një shteti, ai i legjitimitetit, është goxha i qartë, sepse ekziston shumica parlamentare, e cila është parakusht për bërjen e Qeverisë.

Elefanti në dhomë kohëve të fundit ka marrë edhe trajtën e shfuqizimit të adresës ndërkombëtare të Kosovës, e cila ka të ngjarë që do të mundësojë që Serbia të krijojë epërsi evidente tash e tutje, në mungesë të Qeverisë së Kosovës, në bisedimet për anëtarësimin në BE, veçmas në atë segmentin e Kaptinës 35, që kryekëput lidhet me Kosovën. Në mungesë të palës kosovare, Serbia do të ecë tutje në bisedimet me BE-në, duke përfituar nga gjendja e paralizës së plotë në Prishtinë.

Thuhet që në politikë, në cilëndo, optimisti karakterizohet me mungesë informatash, ndërsa pesimisti me një bollëk (informatash).

Optimisti vepron pa dije, pesimisti bllokohet, apo nuk lëvizë fare, se di shumë.

Realisti në politikë është ai që di shumë, por që provon ta ndryshojë realitetin duke ndërlidhur faktet reale me projektin politik që flet për krijimin e gjendjes së re.

Te ne, aktualisht, ka shumë optimistë dhe pesimistë.

Realistët politikë janë minoritet.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)