El Clasico i Barcelonës

Barcelona fitoi El Clasicon e parë të sezonit duke mposhtur Real Madridin me rezultat 2-1, në duelin e zhvilluar në Nou Camp, në kuadër të xhiros së dhjetë të La Ligës. Në ballafaqimin e dy gjigantëve spanjoll, përveq përballjes mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, ishte edhe ai mes dy përforcimeve kryesore, Neymar dhe Gareth…

Sport

26/10/2013 18:53

Barcelona fitoi El Clasicon e parë të sezonit duke mposhtur Real Madridin me rezultat 2-1, në duelin e zhvilluar në Nou Camp, në kuadër të xhiros së dhjetë të La Ligës.

Në ballafaqimin e dy gjigantëve spanjoll, përveq përballjes mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, ishte edhe ai mes dy përforcimeve kryesore, Neymar dhe Gareth Bale. Por, derisa braziliani shkëlqeu, uellsiani ishte pothuajse anonim.

Neymar e kaloi Barcelonën në epërsi në minutën e 19-të, kur mori një top në krahun e majtë dhe me një goditje të saktë e mposhti portierin Diego Lopez, në krahun e djathtë në portës së tij.

Në vazhdim, vendasit e kontrolluan lojën, por Reali rrezikonte nëpërmjet kundërsulmeve. Madje, një i tillë gati sa nuk solli golin e barazimit kur Ronaldo depërtoi nga krahu i majtë dhe shërbeu në qendër për Sami Khediran, por goditjen e gjermanit e priti portieri Victor Valdes.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Barcelonës. Kurse, edhe e dyta solli lojë mjaft dinamike dhe raste të mira për shënim për të dyja ekipet. Debutimi i Bale në një El Clasico përfundoi pas saktësisht një ore lojë. Uellsiani i cili kushtoi 100 milionë euro kur erdhi në klub nga Tottenham nuk është se dha përshtypje të mira, dhe ia liroi vendin Karim Benzemas.

Sulmuesit francez i mjaftuan më pak se dhjetë minuta lojë për tu paraqitur i rrezikshëm për portën e Barcelonës. Me një goditje nga distanca, ai e dridhi traversën.Pak para tij, në një tjetër rast, një goditje të fuqishme nga Ronaldo, u devijua për mrekulli nga Victor Valdes.

Kurse, në minutën e 78-të, në një kundërzbritje, Neymar shërbeu për Alexis Sanchezin i cili i ndalur nga qendërmbrojtësit e Realit, kishte në mendje diqka tjetër. Ylli kilian me një goditje të magjishme paraboloi portierin Diego Lopez. Në minutat e mbetura, Khedira pati një tjetër rast të mirë por goditjen e tij e priti Valdes.

Kurse, në minutën e 91-të, zëvendësuesi Jese Rodriguez shënoi për Realin pas një asistimi nga Ronaldo. Por, në vazhdim nuk pati kohë të mjaftueshme që mysafirët të nxjerrin diçka më tepër dhe fitorja i takoi Barcelonës, që tani ka gjashtë pikë më tepër se Real Madrid.

Koreografia për Vilanovën

Para fillimit të ndeshjes, publiku në Nou Camp shfaqi një koreografi të jashtëzakonshme me mesazhin ‘Força Tito’, për nder të ish trajnerit Tito Vilanova, i cili u largua nga detyra pas përfundimit të edicionit të kaluar në mënyrë që të vazhdojë betejën kundër kancerit në gjëndrat e pështymës.

Tifozët e gjigantit katalan kanë shprehur përkrahjen e tyre për Vilanovën, në periudhën më të vështirë të jetës së tij, atëherë kur ai ka më së tepërmi nevojë për të.

Për më tepër, tifozët duket se nuk do ta harrojnë lehtë atë që bëri Vilanova edicionin e kaluar kur për aq sa drejtoi ekipin, Barcelona dominoi në La Ligë, duke fituar në fund titullin e kampionit.