Ekzekutuan fqinjin e tyre në Nikël, lihen në burg gjashtë autorët
Tre djemtë e familjes Haka dhe dy dhëndurët e tyre kanë dalë para gjykatës së Krujës dhe janë njohur me masën e sigurisë; “arrest me burg”.

Lajme
E njëjta masë është rezervuar edhe për një tjetër person, emri i të cilit nuk bëhet me dije, por që rezulton të jetë ekzekutori i Fatmir Pulajt, burrit që sipas prokurorisë dhe policisë iu mor jeta për t`i marrë pasurinë. Sipas të dhënave të hetimit, hetim që sipas prokurorisë është kryer me mënyra proaktive, gjashtë të rinjtë kishin njohje me shënjestrën e tyre e madje jetonin edhe në të njëjtën lagje, atë të Zezës në Nikël të Fushë-Krujës. Referuar të dhënave të prokurorisë bëhet me dije se gjithçka ka ndodhur për t’i marrë burrit xhiron ditore të një lokali që kishte me qira në Kamëz. Në fakt mbi të është qëlluar me anë të një pushke dhe është qëlluar nga distancë.
Vrasja ka ndodhur në orën 20.00 në afërsi të shtëpisë së viktimës. Faktet tregojnë se burri është qëlluar në momentin që ka hapur derën e mjetit të zbriste në tokë për të larguar nga rruga një thes që ishte në rrugë. Ky thes, sipas prokurorisë ishte lënë nga Admir Haka, personi që ka dirigjuar edhe vrasjen ndërsa mbi të është qëlluar me katër plumba. Mësohet se të rinjtë kanë patur edhe një kallashnikov me të cilin nuk është qëlluar, ndërsa paratë që ka patur me vete viktima mësohet se i janë gjendur. Dyshohet se i ndjeri i ka njohur autorët dhe për këtë shkak edhe të rinjtë kanë qëlluar mbi të. Prokuroria bën me dije se të arrestuarit Admir, Herton dhe Aleksandër Haka bashkë me Hekuran Buci, Olti Metuku dhe E.C, kanë lidhje familjare dhe njohje të mëparshme me njëritjetrin.
Pas një plani paraprak që ka pasur për qëllim vjedhjen e pasurisë së viktimës Fatmir Pula, të hartuar qysh më parë ndërmjet shtetasve Admir Haka, Oltion Metuku dhe E.C., në datë 19.01.2016 rreth orës 20.00, shtetasit Admir Haka dhe E.C, kanë shkuar në afërsi të shtëpisë së viktimës Fatmir Pula. Pasi kanë marrë më parë armën që e kishin fshehur te vëllai i shtetasit Admir Haka, kanë vënë thasë në rrugën që të çonte në banesën e viktimës. Pasi i kanë bërë thirrje për të ndaluar këtij të fundit, kanë kapërcyer gardhin duke qëlluar në drejtim të shtetasit Fatmir Pula, pasi ky i fundit doli jashtë mjetit të tij. Vepra penale e mësipërme është dokumentuar dhe për këtë qëllim personat e arrestuar janë dërguar në gjykatën e shkallës së parë Krujë për “vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal; “Arrest në burg” në ngarkim të personave të arrestuar si bashkëpunëtorë./Shekulli