Ekzekutohet me plumb në kokë i riu në Shkodër, gjendet i pajetë jashtë makinës në Bushat

Një 27-vjeçar është ekzekutuar me një plumb në kokë në Shkodër mëngjesin e sotëm.

Lajme

09/08/2020 14:06

I riu i identifikuar si Gjin Boriçi është gjetur pa jetë rreth orës 6 i shtrirë përtokë jashtë një makine tip BMW, të cilën e kishte marrë me qira disa ditë më parë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën e fshatit Shkjezë në njësinë administrative Bushat të bashkisë Vau i Dejës.

Policia rreth 1 kilometër larg vendit të ngjarjes ka gjetur të djegur një makinë, e cila dyshohet se është përdorur nga autorët.

Viktima sipas burimeve policore ka ndërruar mbiemrin, të cilin më parë e ka pasur Ndoji.

Paraqitje grafike në hartë e vendit ku u gjet viktima jo shumë larg Bushatit dhe landfillit të tij, raporton “euronews.al”.

Njëzeteshtatëvjeçari banues në lagjen “1 maji” në Shkodër, njihej si person problematik për policinë e qytetit verior.

Sipas policisë ai ka qenë i përfshirë në trafik droge dhe krime ndaj personave dhe këtu është përqendruar puna e hetuesve për të zbardhur këtë ngjarje.

Dyshimet kryesore ku po hetohen janë ato të gjakmarrjes dhe prishjes së pazareve mes grupeve kriminale të fushës së narkotikëve.

Ekzekutimi i sotëm në Shkodër vjen pak kohë pas një qetësie në këtë rreth.

Dy vitet e fundit qyteti u përfshi nga përplasje të forta mes grupeve, të cilat sollën si rezultat dhjetëra viktima.