Ekzekutim me 3 plumba, çfarë gjetën hetuesit në vendin ku humbi jetën Jurgen Kurti

Gjetja e autorit apo autorëve që qëlluan për vdekje Jurgen Kurtin do të jetë një mision i vështirë për hetuesit dhe policinë për shkak të vendit të zgjedhur prej ekzekutorëve.

Lajme

19/03/2019 12:51

Në zonën ku ndodhi vrasja e mbrëmjes së djeshme nuk ka kamera të shumta sigure, çka e ka bërë akoma dhe më të vështirë hulumtimin dhe zbardhjen e të vërtetës.

Kurti u qëllua teksa po shkonte në banesën e tij rreth orës 22:00 të mbrëmjes nga një makinë e tipit Benz E class me ngjyrë të zezë. Mendohet se autori/rët pas ekzekutimit janë larguar në drejtim të Liqenit Artificial duke u fshehur mes rrugicave.

Ekspertët kanë ardhur në orët e para të mëngjesit për t’u munduar të gjejnë informacion sa më shumë të munden përmes kamerave të sigurisë, por duket se do të jetë e vështirë që të rindërtohet ngjarja.

Mbi trupin e Jurgen Kurtit u gjetën tre plumba, ndërsa në vendngjarje është qëlluar rreth 10 herë. Policia ende nuk ka një pistë zyrtare të hetimit, por njëri ndër skenarët mbetet ai i hakmarrjes. Kujtojmë se dy vite më parë Kurti u përfshi në një sherr me shtetasin Agim Arapi, pronar i një minimarketi ku dhe ndodhej një biznes i të riut. Pas sherrit kanë ndërhyrë vjehrri dhe vëllai i vjehrrit të Kurtit, të cilët e kanë rrahur për vdekje. Në gjykatë i riu fitoi lirinë pasi nuk u provua se ai kishte marrë pjesë në rrahjen ndaj Agim Arapit, i cili pësoi infarkt gjatë goditjeve të shumta që mori nga vjehrri dhe vëllai i vjehrrit të Kurtit.

Në prill të 2016 Kurti u akuzua për vrasjen e të atit, por gjykata gjeti fajtor për vrasjen me thikë dajën e tij.