Ekstradohet i pandehuri nga Shqipëria për kultivim të mbi 1 mijë bimëve narkotike të llojit kanabis sativa, kërkohet paraburgimi
Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për 40 ditë, ndaj N.Sh, pasi dyshohet se ka kultivuar hashash, shkurre të kokainës ose bimëve të kanabisit. Ai dyshohet se nga data e pavërtetuar deri më 19 qershor të vitit 2024, në fshatin Panorc të Malishevës, bashkë me O.Sh, kanë kultivuar tri parcela…
Lajme
Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për 40 ditë, ndaj N.Sh, pasi dyshohet se ka kultivuar hashash, shkurre të kokainës ose bimëve të kanabisit.
Ai dyshohet se nga data e pavërtetuar deri më 19 qershor të vitit 2024, në fshatin Panorc të Malishevës, bashkë me O.Sh, kanë kultivuar tri parcela me rreth 1 mijë e 250 bimë narkotikë, të llojit kanabis sativa, parcela të cilat janë identifikuar përmes vëzhgimit me dron nga ajri.
Siç ka njoftuar Prokuroria Themelore në Gjakovë, i pandehuri ka qenë në arrati që nga koha e kryerjes së veprës penale.
“Ai është arrestuar me urdhër arrest ndërkombëtar dhe më pas është ekstraduar nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës”, ka njoftuar Prokuroria. /Lajmi.net/
Komunikata e plotë:
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit me inicialet N.Sh., shtetas i Republikës së Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit nga neni 272 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet N.Sh., nga data e pa vërtetuar deri më datë 19.06.2024, në fshatin Panorc, Komuna Malishevë, në bashkëveprim më të pandehurin O.Sh., kanë kultivuar në tri (3) parcela me rreth 1259 bimë, narkotik të llojit kanabis sativa në vendin e lartcekur të cilat parcela janë identifikuar përmes vëzhgimit me dron nga ajri.
I pandehuri ka qenë në arrati që nga koha e kryerjes së veprës penale. Ai është arrestuar me urdhër arrest ndërkombëtar dhe më pas është ekstraduar nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.