Eksperti Beqiri paraqet tre skenarë të mundshëm të përhapjes së koronavirusit në Kosovë

Merkur Beqiri, ekspert dhe konsulent ndërkombëtar me përvojë mbi njëzetvjeçare në menaxhimin e të dhënave, përfshirë në shëndetin publik, ka paraqitur një projeksion të mundshëm të infeksioneve nga COVID-19 në Kosovë për 2 javët e ardhshme, duke u mbështetur tek përvojat e vendeve tjera në botë.

Lajme

30/03/2020 12:54

Përmes një statusi në Facebook ai i është referuar edhe rritjes së rasteve aktive të koronavirusit në Kosovë brenda një dite, nga 91 në 97.

“Përderisa trendi është në rritje, epidemia/pandemia është duke u shpërhapur akoma dhe fotografia e sotit është infeksionet që kanë ndodh 2 javë më parë. Vetëm kur të shohim se ky numër është duke rrënë, dmth numri i rasteve aktiv sot është më i vogël se ai dje – do të mund të marrim frymë pak më lirshëm”, shkruan ai.

Beqiri kishte shkruar më herët se sipas përvojave, “në një vend urban, ku i kemi 100 raste të konfirmuara, nëse nuk ndërmerren masa rigoroze të emergjencës, rritja e rasteve është eksponenciale me deri në 35% shtim ditor”.

Por, si shkruan ai në vazhdim, varësisht prej masave të emegjencës të imponuara nga qeveritë dhe nga vet popullata si dhe faktorë të tjerë, kjo rritje mund të mbahet në përqindje më të ulët.

Beqiri i ka paraqitur edhe faktorët që ndikojnë: a) distancimi social, b) higjiena individuale dhe kolektive, c) testimi i një numri sa më të madh të rasteve të dyshuara, d) intervenimi me kohë te rastet e infektuara dhe zonat e infektuara.

“Të gjitha parallogaritë janë private dhe të bëra personalisht nga unë. Në asnjë mënyrë nuk do them që këto projeksione do janë konkluzive apo të sakta”, shkruan ai.