Eksperimenti gjerman

Gjermania do të jetë në mungesë të Mesut Ozil, Manuel Neuer dhe Philipp Lahm për miqësoren kundër Anglisë, pasi futbollistët në fjalë janë lënë jashtë ekipit nga Joachim Low. Selektori, i cili ka shprehur dëshpërimin e tij për lajmin e lëndimit të mesfushorit të Real Madridit, Sami Khedira për pjesën më të gjatë të sezonit…

Sport

16/11/2013 17:50

Gjermania do të jetë në mungesë të Mesut Ozil, Manuel Neuer dhe Philipp Lahm për miqësoren kundër Anglisë, pasi futbollistët në fjalë janë lënë jashtë ekipit nga Joachim Low.

Selektori, i cili ka shprehur dëshpërimin e tij për lajmin e lëndimit të mesfushorit të Real Madridit, Sami Khedira për pjesën më të gjatë të sezonit si rezultat i dëmtimit që pësoi të premten në miqësoren kundër Italisë që përfundoi 1:1, ka thënë se treshja nuk do të udhëtojë për në Londër, ku do të zhvillohet ndeshja e së martës.

“Ndeshja kundër Anglisë është një prej mundësive të fundit për të testuar disa ide taktike para Kampionatit botëror. Lahm, Neuer dhe Ozil janë pa dyshim më të mirët në pozitat e tyre, por për mua është me rëndësi të shoh futbollistë të tjerë në ato pozita dhe do t’i provoj kundër një skuadre të mirë si Anglia. Ata do ta kenë rastin të dëshmohen”, deklaroi Low.

Mesfushori i Arsenalit, Ozil ka shkëlqyer me paraqitjet e deritashme për skuadrën e tij të re pas transferimit nga Real Madrid gjatë verës, kurse portieri i Bayern Munichut, Neuer dhe mbrojtësi Lahm konsiderohen në mesin e më të mirëve në botë në pozitat e tyre.

Por, Anglia nuk mund t’i gëzohet aq shumë mungesës së tyre. Treshja e Borussia Dortmundit, Roman Weidenfeller, Marco Reus dhe Marcel Schmelzer pritet të zëvendësojnë treshen.

Weidenfeller, 33-vjeç, do të debutojë për Gjermaninë.