Ekskluzive: Gra e fëmijë nga Kosova dyshohet se po vdesin mizorisht në kampet siriane

Rënia e shtetit islamik, ISIS, në Siri e Irak u bë rrjedhojë e problemeve të reja në këto dy vende arabe.

Lajme

11/04/2019 12:39

Rënia e shtetit islamik, ISIS, në Siri e Irak u bë rrjedhojë e problemeve të reja në këto dy vende arabe.

Familjarët e luftëtarëve të ISIS-it, gra e fëmijë mbetën në kampet e ngritura, në të cilat gjendja raportohet të jetë e mjerueshme, shkruan lajmi.net.

Në të dhënat e siguruara nga Policia e Kosovës për  lajmi.net, nga 2012-ta bëhet e ditur se ISIS-it iu bashkuan 253 luftëtarë nga Kosova.

Me vete ata morën edhe familjarët e tyre, të cilët aktualisht ndodhen në kampet siriane.

Lajmi.net ka siguruar të dhëna ekskluzive nga Qendra Evropiane për Studime të Anti – Terrorizmit dhe Inteligjencës për gratë dhe fëmijët kosovarë që ndodhen në kampet siriane.

Nga të njëjtat, bëhet e ditur se aktualisht atje ndodhen gjithsej 160 gra, burra e fëmijë.

Sipas të dhënave, numri mund të jetë më i vogël për shkak të vrasjeve e vdekjeve që kanë ndodhur në ato kampe.

Tronditës është fakti se në njërin prej kampeve ku po qëndron një numër i madh i kosovarëve, njerëzit po vdesin edhe nga kequshqyerja.

“Në bazë të observatorit sirian për të drejtat e njeriut dhe njerëzve në terren, në Siri mund të jenë 160 burra, gra e fëmijë. Kohët e fundit ka pasur vrasje e vdekje të shumta të fëmijëve e grave dhe nuk dihet saktë sa janë. Kampi El Huul ka mbi 70 mijë refugjatë dhe aty nuk dihet se sa janë apo si sepse nuk ka regjistrim. Pastaj kampet në El Baguuz, aty ka pasur vdekje të fëmijëve shumë nga kequshqyerja, nuk dihet sa janë vdek nga Kosova, a ka të vdekur apo si qëndrojnë gjërat”, ka thënë një burim i lajmi.net nga kjo Qendër.

Kampi në El Huul, Siri.

Të dhënat flasin se në dorë të Forcave Demokratike Siriane aktualisht janë 8 mijë e 300 pjesëtarë të ISIS-it, nga të cilët mund të ketë edhe kosovarë.

Megjithatë, në qytetin e quajtur Baguuz ka edhe pjesëtarë të ISIS-it të cilët nuk janë dorëzuar, dhe të njëjtit kanë pasur luftime të ashpra me forcat qeveritare, nga ku ka pasur shumë viktima.

Në këto luftime, besohet se ka edhe viktima që vijnë nga Kosova.

“Në dorë të forcave demokratike siriane janë 8 mijë e 300 pjesëtarë të ISIS-it të burgosur. Sa janë shqiptarë nuk dihet, duke marrë parasysh se në luftimet në kalanë e fundit të ISIS në Baguuz për një ditë janë vrarë mbi 300 pjesëtarë të ISIS-it që nuk kanë pranuar të dorëzohen e kanë luftuar në Baguuz ku po ashtu ka pasur shqiptarë. Personat e fundit që janë vrarë këta dy muaj kanë qenë në El Baguuz”, ka thënë tutje ky burim për lajmi.net.

Baghuz, aty ku raportohet se ka kosovarë aktiv në luftime!Për gjendjen, numrin dhe detaje tjera rreth kosovarëve në kampet siriane, lajmi.net ka kërkuar përgjigje nga ministria e Punëve të Brendshme dhe ministria e Punëve të Jashtme mirëpo nuke kanë parë të arsyeshme të përgjigjen.

Para disa ditësh, mediat ndërkombëtare kanë publikuar disa video dhe imazhe brenda kampeve në Siri, nga ku janë dëgjuar edhe thirrje të fëmijëve në gjuhën shqipe.

Nga rastet e bëra publike, raportohet se nga 2012-ta në Siri u vranë rreth 76 kosovarë. /E.D /Lajmi.net/