Ekskluzive / Agim Çeku: UÇK-ja s’duhet të dalë me numër simbolik, kemi qenë ushtri e jo grup njerëzish /Dokument

“UÇK-ja nuk duhet të dalë me numër simbolik... ne kemi qenë ushtri e jo një grup njerëzish”

Lajme

15/09/2018 18:00

Ndonëse gjatë marrjes në intervistë anëtarët e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të luftës së UÇK-së, janë deklaruar se kanë vepruar në pajtim me ligjin gjatë kohës së finalizimit të listës së veteranëve, Prokuroria Speciale në aktakuzën e saj dëshmon të kundërtën.

Në aktakuzën e plotë të Prokurorisë Speciale që ka siguruar lajmi.net, në incizimet që posedon prokuroria, Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, në mbledhjet e mbajtura përmendin manipulimet që janë bërë gjatë përpilimit të listës së veteranëve.

Në njërën nga mbledhjet e KVSH-së (Komisioni Verifikues Shtetëror), Agim Çeku shpjegon në mënyrë më të hollësishme se si KVSH-ja, respektivisht komandantët e zonave me përfaqësuesit e brigadave duhet ti qasen verifikimit, se si numri i pjesëmarrësve duhet të jetë më i madh sesa ai i luftëtarëve, sepse ideja është që të mos tkurret shumë numri apo të mbetet numri shumë i vogël i tyre, se në total UÇK-ja nuk duhet të dalë me numër simbolik, se duhet dalë që ne kemi qenë ushtri e jo një grup njerëzisht etj.

Gjatë mbledhjeve në vazhdim paraqiten probleme të ndryshme, ku edhe kanë lindur batalione të reja, ekzistenca e të cilave nuk ka ekzistuar.

“…Ahmet Daku njofton se zona e Karadakut është afër përfundimit të verifikimit, por që gjatë ditëve të fundit iu është paraqitur një problem sepse në zonën e tyre ka lindur një batalion pas lufte e që quhet batalioni i Preshevës dhe se ato aplikacione nuk janë shqyrtuar ende, se është pyetur për ekzistencën e këtij batalioni edhe në shtabin e përgjithshëm, e këta të fundit e kanë mohuar një gjë të tillë, andaj duhet marrë një vendim se çfarë duhet të bëhet me ato aplikacione.”

Në raportin e sekretarisë Faik Fazliu gjatë raportimit konfirmon ndër tjera se të gjithë pjesëtarët e fondit Vendlindja Thërret mbeten pjesëtar, ndërsa kur Shkumbin Demailiaj iu referohet 200 ushtarëve të fshatrave Prapaqan dhe Beran lidhur me statusin e tyre Agim Çeku thotë se duhet të bazohemi tek kriteret që i përcakton ligji, ata që kanë qenë pjesë e luftës dhe janë larguar para përfundimit të luftës pa ndonjë arsye të mbeten pjesëmarrës. Po ashtu, Faik Fazliu në kuadër të raportimit përmend si problem edhe brigadën 128 të Pashtrikut ku thotë se nuk ka qenë brigadë, por ne si sekretari i kemi evidentuar aplikacionet dhe nuk kemi dashtë të krijojmë pengesa në këtë drejtim por komisioni duhet ta marrë një vendim për këtë çështje , si dhe në zonën e Drenicës përmend një brigadë të quajtur Hasan Prishtina për të cilën thotë se nuk ka ekzistuar fare.

Megjithëkëtë nuk është se nuk e kanë përmendu se numri është jashtëzakonisht i madh në krahasim me sa ka qenë në realitet, mirëpo anëtarët e komisionit pajtohen që të mos drejtojnë gishtin nga njëri-tjetri, por të merren me zonat e tyre.

“…miratimi i listave përfundimtare të veteranëve ndër tjera Agim Çeku e rikonfirmon se numrat kanë dalë më shumë sesa e kanë pritur, iu lutet anëtarëve të KVSH-së që të merren vetëm me zonat e veta dhe të mos flasin, e nëse bëhet pyetja pse një zonë ka kaq shumë ushtarë mos e fajësoni njëri tjetrin, ne si komandantë të mos e kthejmë në një garë se kush ka pasur më shumë e kush më pak, të mos merremi me akuza ndaj njëri tjetrit, prandaj iu thërras që të flasim dhe ta mbrojmë vetëm atë për të cilën jemi përgjegjës dhe të mos merremi me zonat tjera sepse fusim përçarje mes veteranëve, e nëse na bëhet pyetja ku i ka pasur zona e Dukagjinit 15.000 ushtarë, ne si komision i themi se UÇK-ja nuk i ka pasur të gjithë këta ushtarë të rreshtuar në një ditë, por 45.000 ushtarë kanë qenë pjesë e UÇK-së dhe se fluksi më i madh i hyrje daljeve ka qenë në zonën e Dukagjinit dhe Pashtrikut në kufi me Shqipërinë dhe kjo mund të arsyetohet edhe në këtë frymë si unë edhe gjithë ju, kurse në zonat tjera nuk mendoj se ka pasur shumë fryrje, andaj mendoj se numrat e përcjellin një dinamikë të luftës dhe duhet bashkërisht ti mbrojmë”, thuhet në aktakuzë në pjesën “Provat materiale”

Në videoincizimet e prokurorisë, Shkumbin Demaliaj pranon se ka bërë lëshime, “kam ndiku që të behën veteran, për ato raste kur aplikuesit vëllai apo baba i ka rënë dëshmor”.

Mes tjera në incizime, sipas prokurorisë, dëgjohet të ketë thënë Rrustem Berisha se secili duhet ta mbroj listën e vet, njësinë dhe zonën e vet, “sepse unë nuk mund ta di se çfarë ka ndodhur në zonat apo njësitë tjera.”

“Faik Fazliu si përfaqësues i zyrës së kryeministrit deklaron se nga fillimi i këtij procesi është menduar se do të del me një numër më të vogël, por duke parë që politika ka ndërhyrë sistematikisht, pozitë e opozitë, “sinqerisht jam i zhgënjyer me numrin e rritur andaj përgjegjësinë për të gjitha e mban secili përfaqësues dhe se ne si KVSH do të ballafaqohemi me të gjitha problemet që do vijnë.” Më pas reagon përsëri Shukri Buja, duke thënë se përgjegjësinë penale nuk do ta marr askush i bindur dhe se nuk është vepruar në bazë të ligjit ngase si veteran luftëtar janë kategorizuar edhe pjesëmarrësit dhe për këtë arsye është rritur numri i veteranëve, njëjtë e konfirmon edhe Shkumbin Demailiaj, duke thënë se 60% e atyre që kanë dalë pjesëtar apo pjesëmarrës sot i ke veteran”, vazhdon aktakuza.

E tërë këtë debat Agim Çeku e përmbyll me këto konkluzione:

“Të gjithë përfaqësuesit e zonave, brigadave dhe njësive tjera, ti përmbyllin dhe ti dorëzojnë listat për veteranët në sekretari të nënshkruara si dhe të bashkangjitura me deklaratat përcjellëse dhe si të tilla të dorëzohen në arkiva dhe në zyrën për kategoritë e dalura nga lufta. Pajtohemi të gjithë që numri është më i madh se që e kemi pritur, mirëpo secili ta bartë përgjegjësinë dhe të flas për njësinë dhe zonën dhe numrin e vet. Obligohen përfaqësuesit e zonave dhe njësive përkatëse që ti shqyrtojnë dhe trajtojnë të gjitha aplikacionet e mbetura të pasqyruara dhe të dorëzohen në sekretari në qoftë se do të ketë mundësi dhe krijohen kushtet nga ana e qeverisë për këtë gjë”.

Sami Lushtakut në një nga mbledhjet deklaron se nuk mund të pajtohet me fyerjen dhe qefin e individëve për ta rritur numrin e veteraneve, duke thënë se zona e Llapit thotë se nuk i ka pasur me shumë se 500.

Lajmi.net, sot, ka publikuar pjesë të ndryshme nga aktakuza mbi 900 faqëshe e Prokurorisë Speciale e Kosovës që ka dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “VETERANËT” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë” nga neni 422 të KPRK.

Lexo edhe:

EKSKLUZIVE/ Mbi 900 faqe aktakuzë për 12 të akuzuarit e listave të veteranëve /DOKUMENT  

Lexo edhe:

Zona e Dukagjinit me afër 8 mijë veteranë të rremë, kështu radhitën zonat tjera /Dokument

Lexo edhe:

Intervistime, miliona faqe material, 800 dosje – Dëshmi kundër 12 të akuzuarve për veteranët /Dokument