Ekipi më i shtrenjtë në botë

Uebfaqja Goal.com e ka publikuar ekipin më të shtrenjtë në histori të futbollit, duke u bazuar në shumat që kanë paguar klubet për t’i blerë ata, pozitë për pozitë.

Sport

17/08/2014 13:49

Edhe pse afati kalimtar i verës mbetet ende i hapur për dy javë, tashmë janë bërë disa lëvizje të rëndësishme.

Barcelona e transferoi Luis Suarezin, e Paris Saint-Germain shpenzoi shumë para për David Luiz.

Ndërkaq, Manchester City e transferoi Eliaquim Mangala, derisa Manchester United e bëri të vetin Luke Shaë, si mbrojtësin e majtë më të shtrenjtë në histori.

Ndërkohë, Real Madrid i solli në Santiago Bernabeu futbollistët Toni Kroos e James Rodriguez, duke ua bashkuar këta dy lojtarë, dyshes më të shtrenjtë në histori të futbollit, Cristiano Ronaldo e Gareth Bale.

Madje, Los Blancos, në ndeshjen me Sevillan, në Superkupën e Spanjës, vlerësoheshin afro 500 milionë euro, me ekipin që e kishin në fushë.

Goal.com e ka publikuar listën e lojtarëve më të shtrenjtë në secilën pozitë, me një vlerë prej 668 milionë euro.

Në portë, portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon është më i shtrenjti me 51 milionë euro, që kishte lëvizur nga Parma në vitin 2001.

Në krahun e djathtë gjendet Dani Alves, i cili i kishte kushtuar Barcelonës 35 milionë euro në vitin 2008 nga Sevilla.

Paris Saint-Germain e bëri David Luizin mbrojtësin më të shtrenjtë në botë, duke shpenzuar 50 milionë euro për të, të cilat ia pagoi Chelseat.

Ndërkaq, Manchester City shpenzoi shumë në Eliaquim Mangala javën e kaluar, duke ia paguar Portos 30.5 milionë euro për 56.67 për qind të kartonit, ndërsa transferi total kushtoi 53 milionë euro.

Përfaqësuesi anglez, Luke Shaw i kushtoi 37 milionë euro Manchester Unitedit, të cilin e bleu nga Southampton këtë verë.

Dy mesfushorët që e përbëjnë formacionin 4-2-1-3 janë, ai i Bayern Munichut, Javi Martinez, që e la Athletic Bilbaon për 40 milionë euro në vitin 2012 dhe ai i Zenit St Petersburg, përfaqësuesi belg, Axel Witsel, i cili i kushtoi ekipit rus po ashtu, 40 milionë euro.

Përfaqësuesi kolumbian, James Rodriguez kushtoi 80 milionë euro, duke lëvizur nga Monaco në drejtim të Real Madridit, duke u bërë mesfushori më i shtrenjtë në histori.

Përpara gjendet treshja e La Ligas. Real Madridi kishte shpenzuar 100 milionë euro për Gareth Bale, të cilin e kishte blerë nga Tottenhami vjet, plus 94 milionë të tjerë për Cristiano Ronaldon, të cilin e kishte transferuar nga Manchester United pesë vjet më parë.

Në fund, Luis Suarez. Sulmuesi uruguaian i kushtoi Barcelonës 88 milionë euro, duke e blerë atë nga Liverpooli.

Lojtarët që kanë mbetur jashtë ekipit më të shtrenjtë, e që kanë kushtuar me shuma marramendëse janë edhe Zlatan Ibrahimovic, Kaka, Edinson Cavani, Radamel Falcao, Fernando Torres, Neymar, Hulk, Sergio Aguero, Juan Mata e Thiago Silva.