Ekipi i Shpendit
Sipas Albin Kurtit, vetëm Shpend Ahmeti dhe Isa Mustafa janë në garë për Prishtinën. Por, ai i dha përparësi Ahmetit ndërkohë që Mustafën e akuzoi se “është parkuar te PDK’ja”.

Lajme
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, ka prezantuar sot ekipin e vet prej 56 kandidatëve në garën për Kryetar dhe këshilltarë të Asamblesë Komunale të Prishtinës
Sipas Kryetarit të Vetëvendosje’s, Albin Kurti, i vetmi kundërshtar serioz i Isa Mustafës në garën për Prishtinën është Shpend Ahmeti.
Kurti gjithashtu akuzoi Mustafën për afri me PDK’në.
“Në zgjedhjet në Prishtinë po përballen dy kandidatë. Shpend Ahmeti dhe Isa Mustafa. Shpend Ahmeti i cili me alternativën qeverisëse të Vetëvendosjes që përmban kritikën dhe zgjidhjet konkrete për Prishtinën dhe Isa Mustafa, i cili nuk arriti për gjashtë vjet me radhë që t’i rrënojë garazhet e ndërtuara pa leje në oborrin e PDK’së, sepse ai vetë është parkuar te PDK’ja”.
“Pra, qytetarët e Prishtinës mund të zgjedhin që të parkohen me Isa Mustafën te PDK’ja apo që të udhëtojnë me Shpend Ahmetin drejt ndryshimeve aq të nevojshme në Prishtinë”.
Shpend Ahmeti tha se ndihet i nderuar që është pjesë e ekipit të Vetëvendosjes bashkë me kandidatët për Kuvendin Komunal që po angazhohen për ndryshimet në Prishtinë.
Ai tha se gjatë muajve të fundit, bashkë me këtë ekip, kanë shkruar programin qeverisës për ujin, trafikun urban, çerdhet publike dhe të mirën e përgjithshme.
“Përvoja profesionale nga fushat e ndryshme dhe përvoja jetësore që sjellin kandidatët e Vetëvendosjes për Kuvendin Komunal të Prishtinës përbën themelin e këtij ekipi që po i prin fitores së Vetëvendosjes në Prishtinë”, tha Ahmeti.