Egjipti voton për president, favorit gjenerali

Pas më shumë se tre vjet trazirash, votuesit egjiptianë pritet të zgjedhin në postin e presidentit, ish-shefin e ushtrisë, një person jashtëzakonisht popullor, Abdel-Fattah el-Sissi me shpresa që do të sjellë stabilitet dhe rritje ekonomike në vend.

Bota

26/05/2014 16:51

Disa aktivistë thonë se zgjedhjet që do të mbahen të hënën dhe të martën nuk janë reale sepse opozita thuajse nuk ka asnjë shans për të fituar; të tjerë thonë se një pjesëmarrje e fortë e kundërshtarëve të gjeneralit el-Sissi do të ishte një deklaratë e fuqishme për vizionin e tyre mbi ardhmen e Egjiptit.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Kajro, Heather Murdock, thotë se nuk ka asnjë dyshim në kryeqytetin egjiptian mbi popullaritetin e Abdel-Fattah el-Sissit.

Përkrahësit e gjeneralit el-Sissi thonë se i zgjedhuri i tyre është më i përshtatshmi për t’i dhënë fund  pasigurisë së vazhdueshme dhe problemeve ekonomike që kanë prekur Egjiptin që nga revolucioni i vitit 2011.

Por në anën tjetër të qytetit, Mohammad Adam, përkrahës i kandidatit opozitar Hamdeen Sabahi, vlerëson se zgjedhjet e ardhshme janë komplekse.

“Shumë njerëz mendojnë se do të fitojë el-Sissi, por ne po përpiqemi të mbështesim kandidatin Sabahi për të treguar se jemi këtu, se ekzistojmë, se kemi një zë”.

Adam dhe aktivistë të tjerë të opozitës nuk janë në garë për të fituar, por për të marrë vota të mjaftueshme për t’ia bërë të qartë qeverisë se shumë egjiptianë nuk duan që jeta e tyre të kontrollohet nga ushtria.

“Ne e dimë që nga fillimi se kemi një problem me mjedisin e zgjedhjeve. Po kontrollohet nga ushtria”.

Pjesëmarrja e votuesve ka qenë në rënie në përgjithësi në Egjipt, të paktën pjesërisht, për shkak se shumë njerëz janë të lodhur nga politika pas të paktën gjashtë zgjedhjeve në tre vjet.

Sulmet e autoriteteve ndaj Vëllazërisë Myslimane, parti me ndikim fetar, gjithashtu kanë ndikuar tek grupet aktiviste rinore. Shumë të rinj egjiptianë janë thjesht të dekurajuar, nuk janë të interesuar të votojnë, por as t’i bojkotojnë zgjedhjet. Janë në udhëkryq!