Egeland: SHBA, Rusia ende larg marrëveshjes për Alepon
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë shumë largë me qëndrime në përpjekjen për të arritur pajtim për kushtet e evakuimit nga zonat që kontrollohen nga rebelët në Alepo, ka thënë këshillitari për çështje humanitare në OKB, Jan Egeland.

Bota
Egeland iu ka thënë gazetarëve në Gjenevë më 8 dhjetor se muaj të tërë të negociatave rreth planit për ndihma nuk kanë prodhuar diçka konkrete dhe se tani varet nga Rusia dhe SHBA-ja që të tejkalojnë mospajtimet rreth evakuimit në qytetin e rrethuar sirian, Alepo.
Liderët rusë dhe ata sirianë e kanë refuzuar kërkesën e forcave rebele dhe fuqive perëndimore për armëpushim në Alepo duke vazhduar me fushatën e tyre për të rimarrë tërë qytetin nën kontroll.
Raportimet e fundit thonë se rebelët kanë humbur nga 75 deri në 80 % të qytetit që e kontrollonin prej mesit të muajit nëntor.
OKB ka thënë se në zonat e mbetura nën kontrollin e rebelëve ka 8 mijë luftëtarë dhe mbi 200 mijë civilë.
Në margjinat e takimit të kryediplomatëve të vendeve anëtare të OSBE-së në Hamburg të Gjermanisë, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka thënë se ai ka “shpresë” për arritjen e marrëveshjes me Rusinë për Alepon.
Ai e bëri këtë deklaratë pas takimit me homologun rus, Sergei Lavrov.