Edita Tahiri: Në Bruksel nuk do të bisedohet për kontestet pronësore
Shumë qytetarë të Mitrovicës, të cilët janë dëbuar nga shtëpitë e tyre nga pjesa veriore, po ankohen se nuk po mund të zgjedhin kontestet pronësore. Zëvendëskryeministjra Edita Tahiri thotë se për këtë gjë nuk do të flitet në Bruksel.
Lajme
Qyteti i Mitrovicës që prej përfundimit të luftës është përballur me probleme të shumta, duke filluar nga siguria, lëvizja e lirë e deri tek sundimi i rendit dhe ligjit.
Njëra ndër problemet me të cilën përballen shqiptarët e Mitrovicës veriore është çështja e rikthimit të pronave të tyre, të cilat pas përfundimit të luftës ishin marrë nga serbët të cilët jetojnë në këtë qytet.
Anipse për zgjidhjen e problemit të kësaj pjese po bisedohet në Bruksel, zgjidhja përfundimtare si duket akoma nuk ka ardhur.
Qerim Hamiti, i cili para luftës ka jetuar në pjesën veriore të Mitrovicës, sot është i detyruar që të jetoj në jug të Mitrovicës.
Ai në një prononcim për RTK ka thënë se që 15 vjet është dëbuar dhunshëm nga banesa e tij nga serbët e veriut të Mitrovicës dhe tash jeton me qira në jug të Mitrovicës.
“Ja kam lanë habitatit të atëhershëm na i kanë paguar për 14 vjet veç tre muaj nga 60 euro. Unë kërkoj urgjentisht që të krijohen kushtet dhe të kthehem ne pronën time në veri. 14 vjet është i vendosur një serb dhe s’ka paguar asnjë cent kurrë. Ndërsa unë jetoj me qira në Jug të Mitrovicës dhe paguaj 350 euro në muaj. Kërkoj që edhe serbët të na paguajnë qiran që janë në banesat tona”, ka thënë ai për RTK-në.
Por për zgjidhjen e problemeve pronësore të Mitrovicës veriore si duket nuk do të flitet në bisedimet për normalizmimin e marrëdhënieve në mes Prishtinës dhe Beogradit, takime këto që po mbahen në Bruksel.
Kështu thotë Zëvendëskryeminisrja, Edita Tahiri. Ajo për RTK ka deklaruar se çështja e pronave të qytetit të Mitrovicës nuk do të diskutohet asnjëherë në Bruksel pasi që sipas saj, kjo është çështje e brendshme e Kosovës.
“Çështja e pronave nuk është diskutuar dhe asnjëherë nuk do të diskutohet në Bruksel kjo është çështje e brendshme e Kosovës”.
“Nuk ka pas kërkesa nga pala serbe që kjo çështje të futet në bisedime. Problemi i moszgjidhjes së pronave apo serbëve këto janë probleme në fazat vijuese në të gjithë vendin që ka pas struktura ilegale që nga përfundimi i luftës. Marrëveshja e vitit të kaluar në Bruksel ka mundësuar shuarjen e plotë të strukturave paralele në këtë kuadër edhe rikthimi i pronave do të ndodh së shpejti”,tha për RTK, EditaTahiri.
Që prej përfundimit të luftës në Kosovë, nga veriu i Mitrovicës thuhet të jenë shpërngulur rreth 22 mijë shqiptarë. Shumë prona të shqiptarëve në veri janë blerë nga shteti serb. Shqiptarët që jetojnë në Mitrovicë thonë se Serbia ka sjellë shumë refugjatë në Mitrovicën Veriore në mënyrë që ta popullojë sa më shumë atë pjesë dhe të dëbojë shqiptarët nga pronat e tyre.