Edi Rama lobon në Holandë për statusin e kandidatit në BE

Në prag të vendimit të BE-së për t’i dhënë ose jo Shqipërisë statusin e vendit kandidat, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka zgjedhur të vizitojë Holandën, vendi i cili i pati dhënë një “Jo” të vendosur statusit kandidat para pesë muajsh.

Lajme

26/05/2014 18:06

Përmes faqes së tij zyrtare në “Twitter”, Rama bën të ditur se me homologun holandez, Mark Rutte, bisedoi “për progresin real të Shqipërisë e pse Europës i duhet Ballkani, ashtu siç i duhet Europa Ballkanit”.

Gjithashtu kryeministri informon se gjatë takimit me ministrin e Jashtëm holandez, Timmermans, i cili e përgëzoi ngrohtësisht Ramën për qeverisjen.

“Me ministrin e Jashtëm holandez, Timmermans, që na përgëzoi ngrohtësisht për qeverisjen bindëse të këtyre muajve”, shkruan Rama, ndërsa publikon edhe një fotografi nga takimi me ministrin holandez.

Rama pritet të takojë edhe një sërë drejtuesish të lartë politikë të këtij vendi për t’ju kërkuar mbështetje për statusin e vendit kandidat në BE.

Me afrimin e 27 qershorit, dita kur Këshilli i Ministrave të BE-së pritet të vendosë për këtë çështje, qeveria shqiptare ka nisur një fushatë lobimi në disa vende europiane.

Krahas kryeministrit Rama, që po viziton Holandën, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ndodhet në Danimarkë, ndërsa ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha pas pak ditësh do të vizitojë Britaninë e Madhe.