Edi Rama: Krenohemi me bashkëjetesën fetare

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi sot se Shqipëria krenohet me bashkëjetesën fetare, ndërsa shprehu mirënjohjen për krerët e bashkësive fetare në vend, të cilët, tha ai, na bëjnë krenarisht evropianë.

Lajme

04/05/2018 23:11

Gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës “Përmes një Urtësie të Pashuar”, në Tiranë, Rama u dorëzoi “Medaljen e Mirënjohjes së Kryeministrit”, përfaqësuesve të katër bashkësive fetare në vend: katolike me Mons. Georgo Frendo, ortodokse me Imzot Andonin, bektashiane me Haxhi Dede Edmond Brahimajn dhe myslimane me myfti Ylli Gurrën.

 “Në këtë vit jubilar mbarëkombëtar, u shpreh mirënjohjen publike këtyre personaliteteve, që na bëjnë krenarisht evropianë me përpjekjen e tyre më shumë të heshtur, sesa të zëshme, duke u dorëzuar modestisht e me shumë përulësi ‘Medaljen e Mirënjohjes së Kryeministrit’”, tha Rama, raporton ATSH.

Në fund të ditës, e vijoi fjalën kreu i qeverisë, janë këta njerëz që i japin kësaj bashkëjetese frymën e përditshme dhe janë këta njerëz që përballen me sfidat që ka kjo bashkëjetesë.

“Është një thesar i çmuar që nuk mjafton që ne që ja dimë vlerën, të kemi dëshirën tua trashëgojmë fëmijëve tanë, por duhet që edhe fëmijët tanë ta pranojnë si një trashëgimi të çmuar duke ja ditur vlerën”, deklaroi Kryeministri.

Shefi i ekzekutivit, më tej theksoi se nëse e para është e sigurt, e dyta është e gjitha për t’u fituar në terrenin me përpjekje të vështira për të edukuar çdo fëmijë me vlerën e jashtëzakonshme të kësaj trashëgimie.

Rama shtoi se vlera e bashkëjetesës fetare në Shqipëri është konsideruar si unike edhe nga ndërkombëtarët.

“Gjatë vizitës së tij, Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, duke nënvizuar pikërisht virtytin e bashkëjetesës fetare mes shqiptarëve e konfirmoi si realitet autentik. Edhe raporti i fundit i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara tha se kjo i bën shqiptarët të ishin më evropianë se kombet e tjera anëtare të BE-së. Por në fakt ne nuk duam të jemi më evropianë, por duam të respektohemi për aq sa jemi dhe është detyra jonë të këmbëngulim para çdo evropiani, se asnjë evropian nuk është më shumë evropian sesa ne”, deklaroi Rama.