Edi nuk u pëlqen të gjithëve

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i ka duartrokitur fjalimit të Kryeministrit Edi Rama në Kuvendin e Kosovës.  Në vend të duartrokitjes ka shprehur kritika e pakënaqësi. Disa deputetë të LDK’së e kanë lëshuar edhe seancën. Krejt kjo pasi Edi Rama nuk e ka përmendur askund në fjalimin e tij Presidentin Ibrahim Rugova dhe rezistencën paqësore…

Lajme

13/09/2013 14:48

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i ka duartrokitur fjalimit të Kryeministrit Edi Rama në Kuvendin e Kosovës.  Në vend të duartrokitjes ka shprehur kritika e pakënaqësi.

Disa deputetë të LDK’së e kanë lëshuar edhe seancën. Krejt kjo pasi Edi Rama nuk e ka përmendur askund në fjalimin e tij Presidentin Ibrahim Rugova dhe rezistencën paqësore të udhëhequr prej tij. Janë zemëruar gjithashtu nga citimi që Kryeministri  Rama ka bërë që në nisje të fjalimit të tij, Akademik Rexhep Qosjes, një rivali të përmbetur të LDK’së.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, në një deklaratë për media, tha se Rama nuk e përmendi në fjalimin e tij angazhimin e ish Presidentit Rugova për krijimin e shtetit te Kosovës.

“Nëse ai mendon që ndërtimi i shtetit të Kosovës mund të vlerësohet duke i hequr 10-15 vjet të historisë së lavdishme, e ka total gabim”.

“Kjo nuk hiqet nga mendja e qytetarëve dhe sigurisht më shumë ka qenë një fjalim me nuanca patetike, patriotike pse jo ndoshta edhe me një dozë partiake”.

“Rama bëhet se nuk e di kush janë kontribuuesit në lindjen, ndërtimin e shtetit të Kosovës. Po ia rikujtoj, nuk them se ai duhet ta dojë, por e duan qytetarët dhe e dinë kontributin që një ndër ata ose kryesori ka qenë Presidenti Rugova”.

Partia e dytë më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka ndarë të njëjtim mendim me LDK’në sa i përket fjalimit të Kryeministrit Shqiptar. Lëvizja e Kurtit ka vlerësuar lart fjalimin e Ramës, posaçërisht pjesën ku ai flet për unifikimin e sistemit arsimor dhe për hapësirën e përbashkët në shumë fusha.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha para mediave se pesha e vizitës së Kryeministrit Rama është përtej përmbajtjes së fjalimit të tij.

“Kjo vizitë e ka simbolikën e saj, tejet të çmueshme por edhe nëse ndalemi në pikat kryesore të fjalimit të tij”.

“Mendoj që shpalosja e vizionit të tij lidhur me hapësirën e përbashkët shqiptare në disa pika, arsim, siguri, gjuhës, mbledhjeve të përbashkëta të qeveris, e bënë zotimin e tij edhe më të rëndësishëm sa i përket interesave të shtetit tonë duke marrë parasysh faktin që ai që jeton si popull shumicë në Kosovë kështu që vizita e tij është e një rëndësie shumë të madhe”.