Edi, Kryeministër i Dekretuar
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama ka marrë të martën paradite dekretin nga Presidenti Bujar Nishani për ta formuar qeverinë e re të shtetit, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Dekretimi i Ramës u bë 24 orë pasi kryeministri në largim Sali Berisha i paraqiti kreut të shtetit shqiptar dorëheqjen pas…
Lajme
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama ka marrë të martën paradite dekretin nga Presidenti Bujar Nishani për ta formuar qeverinë e re të shtetit, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.
Dekretimi i Ramës u bë 24 orë pasi kryeministri në largim Sali Berisha i paraqiti kreut të shtetit shqiptar dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve.
Lajmin për dekretim e bëri vetë Edi Rama, jo me fjalë por përmes postimit në Facebook të fotografisë së dekretit të cilën e kishte vendosur mbi një tepih ngjyrë lejla – ngjyra e fushatës së tij në zgjedhjet e fundit.
Nishani i ka dorëzuar dekretin Ramës në një takim që është mbajtur sot Presidencën e Shqipërisë e që ka zgjatur rreth 30 minuta.
Rama dhe qeveria e ardhshme që do të drejtohet prej tij do të votohet në Kuvend. Qeveria e Ramës ka mbështetjen e 83 deputetëve, aq sa mori Aleanca për Shqipërinë Evropiane në zgjedhjet e 23 qershorit, ndërkohë që Partia Demokratike dhe aleatët e saj në opozitë kanë marrë 57 mandate deputetësh.
Kuvendi i Shqipërisë është konstituuar të hënën, ndërsa sot pritet të zgjidhet Kryetari i Kuvendit dhe anëtarët e kryesisë. Propozimi i koalicioni qeveritar për Kryetar të Kuvendit është Ilir Meta, Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gjithashtu grupet parlamentare pritet t’i bëjnë të ditur emrat që do t’i drejtojnë grupet respektive.