Edhe “Zambaku i Prizrenit” nën hetime

Disa zyrtarë të Komunës dhe disa organizatorë të festivalit “Zambaku i Prizrenit” po hetohen nga prokuroria nën dyshimin se kanë keqpërdorur mjetet financiare për organizimin e festivalit. Hetimet janë konfirmuar edhe nga Policia, ndërsa Komuna nuk e pohon një gjë të tillë

Lajme

28/09/2014 11:05

Listës së gjatë të keqpërdoruesve të detyrës zyrtare të “Qeverisë Muja” i janë shtuar edhe disa zyrtarë të Drejtorisë së Kulturës. Ata dyshohen se vitin e kaluar kanë keqpërdorë detyrën zyrtare gjatë organizimit të festivalit “Zambaku i Prizrenit”. Burimet e sigurta të “PrizrenPress” bëjnë të ditur se zyrtarët e Drejtorisë së Kulturës dyshohen se kanë keqpërdorë detyrën zyrtare në financimin e “Zambakut…”.

“Përveç zyrtarëve të Drejtorisë së Kulturës, janë duke u hetuar edhe disa nga organizatorët e Festivalit”, tregon burimi.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu ka konfirmuar se policia ka zhvilluar hetime ndaj disa zyrtarëve të Komunës për Festivalin “Zambaku i Prizrenit”. Ai ka bërë të ditur se ky rast është dërguar në Prokurori më 4 korrik të këtij viti.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Mitush Biraj nuk ka pranuar të flasë për rastin. “Shkoni në polici, sepse ata i kanë të gjitha rastet çka ju intereson”, ka thënë shkurt Biraj.

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha tha se nuk është në dijeni për këtë hetim të PK-së.

“Për herë të parë po dëgjoj për këtë hetim”, tha ai.

Të dënuar me burg me kusht është edhe kryetari Ramadan Muja me disa zyrtarë të kësaj Komune. Ata u gjendën fajtorë se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Por edhe një rast tjetër po për keqpërdorim është duke u zhvilluar ndaj disa zyrtarëve të kësaj komune. Për keqpërdorim të detyrës zyrtare po dyshohet drejtori i Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj dhe dy zyrtarëve tjerë të arsimit. Bashkë me ta akuzohet edhe një biznesmen nga Prishtina, për vepër penale të keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi.

Në aktakuzë, të pandehurit Nexhat Çoçaj, Nezir Osmani dhe Gëzim Gërgi akuzohen se nga data 28 shtator 2009, e deri më datë 3 nëntor 2009 në Prizren, në cilësinë e personave zyrtar, i shfrytëzojnë detyrat zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkelin me dijeni ligjin e prokurimit dhe kushtet e parapara me kontratën e lidhur mes komunës së Prizrenit dhe NTSH “Rikon” për furnizimin e shkollave të Komunës së Prizrenit me aparate fotokopjuese.

(prizrenpress)