Edhe Transdniesteri do bashkim me Rusinë

Një gazetë ruse shkruan se kryetari i Parlamentit të Transdniesterit ka kërkuar nga Duma Shtetërore e Rusisë që të shqyrtojë mundësinë e ndarjes nga Moldavia dhe bashkimit të tij me Federatën Ruse.

Bota

18/03/2014 11:04

Gazeta “Vedomosti” shkruan se Mikhail Burla i ka dërguar letër kryetarit të Dumës, Sergei Naryshkin, duke kërkuar që Dhoma e Ulët e Parlamentit rus të shqyrtojë rrugët legale për të lehtësuar pranimin e Transdniesterit në Federatën Ruse, raporton Evropa e Lirë.

Në vitin 2006, Transdniesteri ka mbajtur një referendum të ngjashëm me atë që është mbajtur të dielën në Krime, në të cilin 97 për qind e popullsisë kanë votuar në favor të bashkimit të rajonit separatist me Rusinë.

Transdniesteri, i cili ka ngecur midis Moldavisë dhe Ukrainës, ka shpallur pavarësinë më 1990.

Dy palët kanë bërë një luftë të shkurtër më 1992, e cila ka përfunduar kur ushtria ruse ka ndërhyrë në anën e Transdniesterit.

Pavarësia e Transdniesterit nuk është njohur nga asnjë shtet.