Edhe sot protesta për shkarkimin e ministrit Aleksandar Jabllanoviq
Sot qytetarët e Pejës do të protestojnë kundër deklaratave fyese të zëvendëskryeministrit të Kosovës dhe Ministri për Komunitete dhe Kthim, Aleksander Jabllanoviq, i cili ditë më parë i cilësoi si egërsira familjarët e të zhdukurve që protestuan kundër vizitës së disa zyrtarëve serbë në Gjakovë.
Lajme
Po ashtu, një aktivitet do ta organizojnë edhe shoqatat e të pagjeturve pranë Ministrisë së Kthimit në Fushë Kosovë, dhe do të përkrahet edhe nga studentët studentët e Universitetit të Prishtinës, të cilët një ditë më parë në rrethojat e objektit të kësaj ministrie vendosën mbishkrimet “Kosova nuk është Metohi, nuk është Serbi, Kosova është Republikë”.
Me një aktivitet simbolik, studentët një ditë më parë kanë vendosur edhe fotografi të gjenocidit që ka bërë ushtria dhe policia e Serbisë gjatë luftës në Kosovë, për t’ia kujtuar Jabllanoviqit, i cili ditë më parë ka thënë po ashtu se nuk e ka ditur që Serbia ka kryer masakra ndaj shqiptarëve.
Familjarët e të zhdukurve, studentët, partitë opozitare dhe anëtarë të kabinetit qeveritar si ministri i Diasporës Valon Murati, kanë kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa, shkarkimin e Jabllanoviqit, i cili një ditë më parë ka patur mundësinë të njihet me një nga masakrat e Serbisë në Kosovë, pasi u shënua 16 vjetori i Masakrës së Reçakut, ku me plumba në kokë u ekzekutuan 45 civilë shqiptarë të këtij fshati.