Edhe pse po diskutohet për luftë, ja si ka filluar takimi Biden – Putin

Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe ai rus, Vladimir Putin, u panë duke përshëndetur me dorë njëri-tjetrin dhe duke buzëqeshur, në nisje të takimit të tyre virtual këtë të martë.

Bota

07/12/2021 18:54

Edhe pse çështja kryesore e diskutimeve është tepër serioze, mundësia e një lufte në Ukrainë, dy njerëzit më të fuqishëm të botës u dukën të relaksuar, të paktën nga pamjet e publikuara nga agjencitë ruse të lajmeve.

Biden pati edhe disa probleme teknike, pasi nuk kishte ndezur mikrofonin dhe u pa të përshëndeste me dorë homologun rus.

“Përshëndetje zoti President”, u dëgjua t’i thoshte Putin në rusisht. Më pas, Biden u pa të shtypte butonin e audios dhe të thoshte: “Përshëndetje, më vjen mirë që të shosh sërish”.

Telefonata nisi në orën 10:07 të mëngjesit sipas orës së Uashingtonit dhe 18:07 sipas orës së Moskës. Mediat vendase atje nuk u lejuan të ndiqnin bisedën.

Kjo është një prej përpjekjeve më të mëdha të Biden për të zgjidhur në mënyrë diplomatike krizën që po përshkallëzohet dita-ditës në Ukrainë. Biden pritet të paralajmërojë Putinin për pasojat e pushtimit të Ukrainës. Ndërsa lideri rus ka thënë më herët se kërkon garanci nga Perëndimi që NATO nuk do të zgjerohet më në lindje.