Edhe Prishtina e uron Llamkosin

FC Prishtina e ka uruar Llamkos Kosovën për titullin e kampionit, edhe pse nuk udhëtoi në Vushtrri për ta zhvilluar ndeshjen e fundit.

Sport

01/06/2014 20:21

FC Prishtina e ka bërë ‘zemrën guri’ dhe ia ka uruar titullin e kampionit Llamkos Kosovës, edhe pse nuk udhëtoi të dielën në drejtim të Vushtrrisë për ta zhvilluar ndeshjen e fundit kampionale.

Bardh e kaltrit kanë shprehur keqardhje, por e kryen detyrën e tyre, duke i uruar vushtrriasit.

“FC Prishtina e uron Llamkos Kosovën për titullin e kampionit, të parinë në historinë e vet”, fillon komunikata e lëshuar për media.

“Urojmë që mbarësia ta përcjellë Llamkos Kosovën edhe në vitet e ardhshme, por edhe klubet tjera kosovare, dhe shpresojmë ta gjejmë siç është më së miri klubin vushtrrias në edicionin e ardhshëm,pasi fatkeqësisht nuk arritëm të udhëtojmë të dielën, për arsye të njohura tashmë”, thuhet në komunikatën e prishtinasve.

“FC Prishtina u gëzohet edhe sukseseve të klubeve tjera, sepse vetëm kështu futbolli kosovar mund të bëjë hapa përpara”, theksohet në komunikatë.