Edhe policët shkelin ligjin, 41 të arrestuar për një vit

Viti 2019 nuk ka përfunduar mirë për 41 zyrtarë policorë të Kosovës. Po aq të tillë janë arrestuar përgjatë vitit paraprak, teksa edhe 70 të tjerë janë suspenduar. Zyrtarë për informim nga Inspektorati Policor i Kosovës (IKP) kanë konfirmuar që gjatë së njëjtës periudhë kohore janë transferuar edhe 8 policë.

Lajme

15/02/2020 08:58

Ndonëse janë të thirrur ta mbrojnë ligjin dhe sigurinë në vend, një numër i madh i zyrtarëve policorë janë nën llupën e Departament të Hetimeve brenda Inspektoratit Policor të Kosovës. 504 ankesa ose 35% të numrit të përgjithshëm të tyre janë proceduar në këtë drejtori për hetim, teksa pjesa tjetër, ose 65% e ankesave, janë të proceduara në Policinë e Kosovës e që kryesisht kanë të bëjnë me çështje disiplinore.

Këto shifra po konsiderohen shqetësuese nga njohësit e çështjeve të sigurisë në vend. Për ta kjo situatë ndikon në humbjen e besueshmërisë të Institucionit të Policisë. Për t’u përmirësuar kjo gjendje, sipas tyre, është më se e nevojshme strukturimi i brendshëm i PK-së, si dhe hartimi i planeve strategjike nga qeveria e porsaformuar për sa i përket sigurisë në vend, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Po ashtu të njëjtit pohuan se në Kosovë ka nevojë edhe për procesin e vetingut, i cili do ta ruante besueshmërinë e institucionit në fjalë.