Edhe PDK-ja është bllokuar, mendon vetëm për zgjedhje të parakohshme
Partia Demokratike e Kosovës nuk po arrin të gjejë asnjë model për zhbllokimin e krizës në vend.
Lajme
Kjo parti është bllokuar në tentimin për të arritur një marrëveshje me partitë e spektrit të djathtë për ndërtimin e institucioneve, shkruan gazeta Tribuna.
E gjithë kjo situatë është krijuar pas refuzimit të vazhdueshëm tw palës tjetwr bllokuese, koalicionit paszgjedhor VLAN, që të bëjë marrëveshje me partinë e Hashim Thaçi për ta formuar qeverinë.
Në mungesë të alternativave, daljen nga kjo situatë tani PDK po e sheh vetëm te mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.
Kësisoj, kjo parti kohët e fundit ka filluar të përgatitet për zgjedhje të parakohshme.
Kryetarët e degëve të kësaj partie nëpër gjithë vendin, kanë marrë ‘selam’ nga kreu i PDK-së Hashim Thaçi, që t’i funksionalizojë shtabet zgjedhore si dhe të fillojë mobilizimi.
Këmbëngulja e kësaj partie për të shkuar në zgjedhje të parakohshme është parë edhe në mbledhjen e Këshillit Drejtues të kësaj partie.
Në këtë mbledhje zyrtarë të PDK-së u zotuan se nuk do të ketë thirrje të seancës konstituive e as krijim të institucioneve pa pjesëmarrjen e PDK-së, në të kundërtën sipas tyre, vendi do të shkojë në zgjedhje.