Edhe pas dy ditësh, vrasja e trefishtë në Gllogjan ende pa autor – 20 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacione

Sot janë varrosur trupat e viktimave të sulmit me armë zjarri mbi një autobus në Gllogjan të Deçanit. Por tani kur kanë kaluar 48 orë nga rasti tragjik, autori ende është në arrati.

Lajme

28/11/2021 18:56

Sot, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe policinë e Kosovës kanë lëshuar një njoftim se do të shpërblejnë me 20 mijë euro këdo që jep informacione lidhur me autorin e sulmit makabër në Gllogjan, shkruan lajmi.net.

Pas ceremonisë mortore së dy të rinjve që u vranë të premten në Gllogjan të Deçanit, kryeministri Albin Kurti me ministra ka takuar në Stacionin Policor në Deçan, drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Kreu i ekzekutivit tha se janë duke u bërë përpjekjet maksimale për të gjetur dorasin apo dorasët. Ai ka potencuar edhe një herë se qeveria do të ofrojë shpërblimin prej 20 mijë euro, atyre që ndihmojnë në zbardhjen e këtij rasti.

“Mësova që i kanë shtuar përpjekjet po rritet sasia e informacionit, mirëpo ende nuk e kemi zgjidhjen. Kur jemi në prag të 48 orësh, fatkeqësisht ende nuk e kemi zgjidhjen, por nuk po mungon angazhimi. Janë shtuar numri i zyrtarëve, të cilët po merren me hetimin dhe hulumtimet në mënyrë që i gjithë populli i Kosovës, e në veçanti familjet dhe të afërmit të prehen të qetë duke e sjellë para drejtësisë vrasësin apo vrasësit”, tha Kurti pas këtij takimi.

“Momentalisht nuk e kemi të dyshuarin apo të pandehurin. Posa të kemi informacione me siguri që do t’ju njoftojmë. Po rritet sasia e informacionit me hulumtimin dhe hetimin që po bëhet. Edhe nga vendi i ngjarjes, por edhe nga marrja në pyetje e dëshmitarëve. Por nuk e kemi emrin apo emrat e përveçëm të vrasësit”, ka shtuar ai.

“Lidhur me rastin e vrasjes së trefishtë të premten mbrëma në Gllogjan, Policia e Kosovës me të gjitha njësitet e saj relevante është angazhuar në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të këtij rasti. Policia është duke punuar në mbledhjen dhe analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevante për të zbardhur sa më parë këtë rast dhe për të sjellë para drejtësisë sa më parë që të jetë e mundur kryerësin/it e kësaj vepre kriminale. Megjithatë, për identifikimin sa më të shpejt të kryerësit/ësve të këtij akti kriminal, Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia kërkojnë ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të rëndësishme për zbardhjen e rastit. Si Kryeministër, bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës apelojmë te qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri rreth rastit ta ndihmojnë policinë me informacione për gjetjen e autorit/ve të këtij akti dhe për këtë ofrojmë një shpërblim prej 20.000 euro (njëzet mijë euro), për cilindo qytetar i cili mund të jep informacione të cilat shpiejnë në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti. Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund t’i dërgojnë ato në këto numra telefoni dhe e-mail adresën e poshtëshënuar: Tel:-080019999 ose -192, dhe e-mail: [email protected] Thirrjet në këta numra të telefonit janë pa pagesë për të gjithë qytetarët dhe policia do ta ruajë strikt të drejtën e anonimitetit apo fshehtësisë së identitetit, përveçse nëse personat vetë, pra vullnetarisht, deklarohen ndryshe. Me respekt, Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës.”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Kryeministria.

Institucionet ofrojnë 20 mijë euro shpërblim për personin që jep informacione për autorin e vrasjes së trefishtë në Deçan

Sot, është mbajtur ceremonia e varrimit të tre viktimave të vrasjes së trefishtë që ndodhi në fshatin Gllogjan të Deçanit. Qindra qytetarë kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit ku mes lotëve iu dha lamtumira viktimave.

Pamje nga varrimi i dy nxënësve që u vranë nga sulmi ndaj autobusit në Gllogjan

Dje gjatë ditës, Prokuroria ka bërë të ditur se kanë intervistuar shumë persona lidhur me rastin, përfshirë këtu edhe dëshmitarët okularë, e gjithashtu dhanë detaje lidhur me këtë rast.

“U bëj thirrje qytetarëve që të na ndihmojnë me informacionet që kanë. Ky është një moment i rëndë qoftë familjet e viktimave qoftë për ata që kanë qenë në autobus dhe e kanë përjetu. Ne me shumë kujdes jemi duke intervistu çdo dëshmitar okular dhe jemi të ndarë në shumë grupe dhe secili prej tyre jemi duke i koordinu veprimet, kemi intervistu shumë persona. Deri tash me informatat që posedojmë është përdorur një kallashnikov dhe është zbrazur një karikator, hetuesit janë në terren duke e bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes”, tha Prokurorja Sahide Gashi.

Gjatë ditës së djeshme, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, të pajisur me armë të gjata kryen patrullime në fshatin Gllogjan të Deçanit, por nuk u raportua të kenë hasur në gjurmë ose prova që lidhen me dorasin dhe që mund të hapnin pista të hetimit.

Ndërsa lidhur me rastin, dje kanë mbajtur konferencë për media edhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti.

Për rastin e vrasjes së trefishtë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se kanë marrë informacione të ndryshme, shkruan lajmi.net.

“Mund të deklarojë se tashmë kemi informacione të ndryshme të ardhura në rrugë të ndryshme të cilat Policia e Kosovës nën direktivat e Prokurorisë është duke i trajtuar një për një. Janë duke u trajtuar disa pista të cilat të gjitha kapacitetet e Policisë janë duke i eliminuar apo duke i hetuar. Unë po ashtu nuk po them bëjë ftesë, unë bëjë ultimatum vrasësit që të dorëzohet për shkak se për çdo ditë ai rëndon të tjerët. E dimë shumë mirë se kushdo që ndihmon vrasësin implikohet në vepër të rëndë penale, nuk bëhet më fjalë për çfarëdo lloj solidariteti me vrasësin e dy nxënësve dhe shoferit të autobusit. Prandaj, sa më parë që dorëzohet aq më mirë edhe për rrethin e tij, por aq më mirë edhe për qytetarët e gjithë Kosovës”, tha ai.

Ministri Sveçla tha se janë në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorinë dhe me AKI-në, në mënyrë që rasti të zbulohet sa më shpejtë.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se aktualisht janë duke bërë ekzaminimet, pastrimi i terrenit dhe shikimi i detajuar i rrethinës së ngjarjes.

Ai tha se sipas dyshimeve fillestare vepra është kryer nga një person, por që u shpreh se mund të ketë ndërlidhje me më shumë persona.

“Policia e Kosovës është duke bërë ekzaminimet, aktualisht jemi duke bërë pastrimin e terrenit, shqimin detajuar të rrethinës së ngjarjes, përfshirë këtu edhe rrethinat apo pjesët anësore të vendit të ngjarjes, përkatësisht pjesët ku potencialisht mund të ketë ndonjë provës shtesë. Fatkeqësisht kemi pas një mot shumë të keq gjatë gjithë kohës që na ka penguar në këtë shiqim, na ka penguar që disa mjetet teknike dhe mjete të tjera që ndihmojnë në gjetjen e gjurmëve të ndryshme. Është dashtë që pastrimi i terrenit të filloj me vonesë. Gjitha njësitet janë në vend të ngjarjes duke e pastruar terrenin, mirëpo aktualisht jemi duke u përballur me një numër të konsiderueshme të informacioneve rreth rastit, kemi sjellë njësi shtesë dhe ekspertë të ndryshme të niveleve të ndryshme operative dhe hetimore që t’i trajtojnë këto informacione dhe të bëjnë ekzaminimet më të shpejtë të evidencave dhe provave që i kemi gjetur në vend të ngjarjes apo që mund të gjenden gjatë pastrimit të vendit të ngjarjes”, tha Mehmeti.

Mehmeti tha se aktualisht po flasin për një person që mund të ketë kryer vrasjen, por që tha se mund të ketë ndërlidhje edhe të personave të tjerë.

Sa i përket motiveve, Mehmeti tha se është shumë herët që të flitet për një gjë të tillë.

“Aktualisht mund të flasim për një sistem të dy apo tri pistave të mundshme të hetimit, të gjitha informacionet që jemi duke i mbledhur dhe evidencat dhe provat materiale të çojnë në këtë drejtim. Aktualisht po bisedojmë për një person por me mundësi të ndërlidhjes edhe të personave të tjerë, që kuptohet se mund të ketë më shumë se një të dyshuar. Në kuptimin e qarkullimit të personit janë duke u ekzaminuar prova teknike të ndryshme që do të na tregojnë saktë nga ka ardhë, ku ka qëndruar potencialisht dhe ku ka shkuar… Thash që kemi informacione nga më të ndryshme dhe për shkak të gjendjes në të cilën ka ndodhur rasti ne jemi duke përpunuar çdo informacion me shumë kujdes sepse janë dy-tri pista të ndryshme që nënkupton që janë dy-tri motive të ndryshme të cilat duhet përpunohen gradualisht. Ne jemi duke i përpunuar informacione që jemi duke i marrë nga dëshmitarët, përkatësisht nga qytetarët, njerëzit që kanë lidhje rrethanore apo drejtpërdrejt me rastin. Mirëpo gjitha këto janë duke iu bashkangjitur edhe provat teknike. Është shumë herët që të themi se ky do të ishte motivi, por rrethanat, dëshmitë informacionet që janë duke ardhur kanë me na sjellë tek një motiv potencial i cili mund të jetë”, tha ai.

Ndërsa edhe tani, kur kanë kaluar 48 orë nga momenti i krimit, autori vazhdon të jetë në arrati – ndërsa prova lidhur me rastin nuk ka. Derisa, as pistat e hetimit të policisë së Kosovës nuk janë bërë saktësisht të ditura për opinonin. /Lajmi.net/