Edhe Obama me sanksione: Putin vet vendosi ta izolojë Rusinë

Pasi Bashkimi Evropian të martën shpalli se të gjitha vendet anëtare të saj u dakorduan për aplikimin e sanksioneve të reja dhe shumë më të fuqishme ekonomike ndaj Rusisë, masat e reja kundër Moskës sonte i publikoi edhe presidenti amerikan Barack Obama. 

Bota

30/07/2014 01:02

Në një konferencë me gazetarë në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, Obama tha se paketa më e re e sanksioneve është e orientuar drejt disa bankave ruse dhe një firme të sektorit të mbrojtjes, por që edhe industrisë ruse të naftës do t’i pamundësohet blerja e zgjidhjeve të reja teknologjike në tregun amerikan.

Ministria e Financave pastaj njoftoi se bankat ruse që goditen nga sanksionet amerikane janë VTB, Banka Bujqësore ruse dhe Banka e Moskës.

Sipas gazetës New York Times, këto sanksione në fakt përbëjnë kryesisht harmonizim me masat që i ka miratuar sot BE-ja.

BBC citon presidentin Obama se sanksionet do ta dobësojnë edhe më shumë ekonominë tashmë të dobët ruse dhe që, nëse nuk ndryshon sjellja ndaj Ukrainës, ҫmimi që do ta paguajë Rusia do të jetë edhe më  i lartë.

“Rusia sot e izolon veten edhe një herë nga pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombtare, duke i anashkaluar dekadat e përparimit të vërtetë. Por, kjo është zgjedhja ruse, e veҫmas e presdientit Putin”, tha Obama.

Ndërkaq, kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se vendimi i sotëm i BE-së për aplikimin e sanksioneve ndasj Rusisë ishte hap i “pashmangshëm” për arsye të sjelljeve ruse në Ukrainë dhe tashti i mbetet Moskës ta bëjë hapin tjetër.