Edhe një natë në tenda për familjet në Thumanë
Në fshatin Thumanë të Shqipërisë po vazhdojnë të qëndrojnë shumë familje shtëpitë e të cilave u shkatërruan nga tërmetet që vazhdojnë të godasin vendin që nga dita e djeshme. Pamje të rënda janë në këtë pjesë pranë tendave ku njerëzit presin për ushqim, veshmbathje e ndihma të tjera elementare.
Lajme
Për KosovaPress, ata thonë se kanë pranuar ndihma të ndryshme që prej ditës së djeshme, megjithatë, vuajnë nga fatkeqësia që përjetuan duke humbur disa nga të dashurit e tyre.
Ata kanë mbetur pa shtëpi, dhe shprehin shqetësimin e tyre se çka do të ndodhë tutje me familjet e tyre.
Rita Bruka tregon se mbrëmë e kanë kaluar natën në tenda, kanë pasur ushqim, por se e kanë të vështirë të përballojnë këtë tragjedi.
“Fatkeqësia është fatkeqësi, tragjedia ishte shumë e madhe… Shtëpia komplet, fëmijën e kam të traumatizuar…Na shpëtoi koka, çka të them”, tha Bruka.
Xhemali Maksutaj thotë se kanë pranuar ushqim e rroba të ndryshme, por që është shumë e vështirë të ia dalin në këtë gjendje.
“Është e vështirë, presim që të rregullohet këto shtëpi, por stres është siç keni pa e dëgjuar… Dëmi është se është prishur shtëpia është e pabanueshme”, tha ai.
Fatos Koka nga Burreli, por që jeton jashtë vendit, ka ardhur të takojë familjarët e tij, për të cilët thotë se janë të traumatizuar.
“Vështirësi kemi, sepse të gjithë janë traumatizuar nga tërmeti. Motra ime ka humbur kunatin dhe kunatën dhe djalin e kunatit, tre viktima në një shtëpi. Dhe janë traumatizuar shumë”, thotë ai.
Ndërsa Ylli Biqoku, pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës, i cili më parë ka jetuar në Thumanë, tregon se ndërtesa ku kishte banuar tashmë është e shembur.
“Tërmeti i tmerrshëm, ishte krejt i veçantë me sa mbaj mend unë këto 50-60 vjet e fundit nuk ka pasur ndonjëherë termet që brenda dy muajve të bien tërmete kaq të fuqishme. Ky i parmbrëmë ishte më i tmerrshmi. Mediat nuk e raportojnë ka qenë 8 ballë në Tiranë, e japin mediat e huaja që në epiqendër që ishte pak larg Durrësit ka qenë 9 ballë, që është shkatërrues”, thotë ai.
Biqoku shprehet i mllefosur me Qeverinë e Shqipërisë, e cila sipas tij, duhet të heqë taksën rrugore për kosovarët.
“Ajo që më revolton më tepër është që Qeveria jonë nuk heq taksën 5 euro në Rrugën e kombit për njerëzit e Kosovës. Dhe janë shumë njerëz që kanë dashur të vinë nesër me ndihma personalisht dhe kthehen mbrapsht, sepse thonë pse duhet të paguajë 10 euro kur unë dërgoj ndihma”, shprehet ai.
Sonte është nata e dytë që familjet në Thumanë do të kalojnë natën në tenda, pa shtëpitë e tyre të cilat u shembën nga tërmetet që goditën Shqipërinë mëngjesin e së martës.
Dhjetëra persona kanë humbur jetën, ndërkohë qindra të tjerë kanë mbetur të lënduar.