Edhe një javë kohë për negociata

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, ka thënë se Kosova shumë shpejt do të bëhet me institucione të reja.

Lajme

01/09/2014 12:23

Grabovci ka bërë me dije për “Epokën e re” se kryesuesja e seancës konstitutive, deputetja Flora Brovina, brenda afatit të paraparë do ta thërrasë seancën në të cilën do të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët.

“Këtë përgjegjësi e ka kryesuesja, deputetja Flora Brovina. Unë besoj se ajo në afatin e duhur do ta thërrasë seancën dhe do ta përmbyllë me sukses të plotë duke konstituuar Kuvendin e Kosovës, Qeverinë dhe të gjitha institucionet e tjera”, është shprehur Grabovci.

Ai ka thënë se paraprakisht duhet të zgjidhet kryetari i Kuvendit, nënkryetarët dhe pastaj presidentja duhet ta nominojë mandatarin për kryeministër.

“Ne do të veprojmë në përputhje me këto procedura. Fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet kryetari, nënkryetarët, pastaj do të procedojmë me zgjedhjen e qeverisë”, ka deklaruar Grabovci.

Sipas tij, PDK-ja si parti fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit do ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit, pasi Gjykata Kushtetuese i ka qartësuar të gjitha dilemat rreth kësaj çështje.

“Ta respektojmë Kushtetutën e vendit, sepse kur ne nuk i respektojmë institucionet tona, atëherë nuk e respektojmë vetveten. Mosrespektimi i institucioneve tona do të thotë mosrespektim i shtetit dhe ne nuk do të lejojmë të bëjmë këtë gabim fatal”, ka thënë Grabovci, duke shtuar se PDK-ja është duke komunikuar me deputetët për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Nënkryetari i PDK-së nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e përfaqësuesve të Vetëvendosjes, të cilët kanë thënë se nuk do t’ia bëjnë PDK-së kuorumin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por ka thënë se të gjitha veprimet e PDK-së do të jenë në përputhje me ligjet në fuqi.

“Nuk na bën përshtypje kush çka thotë. Nuk dua t’i komentoj deklaratat e të tjerëve. Jam i prirë t’i them qëndrimet tona dhe jam shumë i kujdesshëm që qëndrimet dhe veprimet tona të jenë në harmoni të plotë me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, në harmoni të plotë me respektimin e institucioneve të vendit dhe me respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, ka deklaruar ndër të tjera Grabovci.

Ndërsa gazeta Kosova Sot shkruan se strategjia e negocimit të PDK-së, si parti fituese e zgjedhjeve, me oponentët politikë paszgjedhorë, synon krijimin e shumicës parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës me shumicën shqiptare të përfaqësuar në Kuvend, pa varshmërinë e deputetëve të Listës Serbe.

Burime të kësaj gazete brenda PDK-së kanë bërë të ditur se edhe kjo jave do të jetë në dispozicion për të zhvilluar negociata me përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike, në mënyrë që të arrihet deri tek një qëndrim i përbashkët politik për jetësimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.