Edhe nga 2 muaj paraburgim për të dyshuarit për terrorizëm

24 të dyshuarit për terrorizëm, do të vazhdojnë në paraburgim edhe për dy muaj. Ky vendim është marr nga gjykatësi i rastit. 

Lajme

08/11/2014 10:01

Gjyqtari i procedurës paraprake Vehbi Kashtanjeva ua ka vazhduar të premten paraburgimin prej dy muajsh 24 personave, shumica e të cilëve u arrestuan nën dyshimin për terrorizëm më 11 gusht.

Për 22 prej tyre masa e paraburgimit vlen në periudhën kohore nga 9 nëntori deri më 9 janar 2015. Dy të tjerët do të jenë në paraburgim deri më 12 janar 2015.

Gjykata ua zëvendësoi masën e paraburgimit, me atë të arrestit shtëpiak për dy muaj dy të arrestuarve tjerë të këtij grupi.

Arresti shtëpiak për dy muaj iu vazhdua edhe tre të dyshuarve për terrorizëm, ndërsa kjo masë iu ndërpre katër të tjerëve.

Për këta të katër u caktua masa e paraqitjes në stacion policor për dy muaj.

Shumica e të dyshuarve u arrestuan në aksionit e 11 gushtit, kur anekënd Kosovës u prangosën 40 persona.

Ata po hetohen për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, nxitje të urrejtjes përçarëse ose mosdurimit racor, fetar, kombëtar apo etnik dhe rekrutim për terrorizëm.

Gjykata arsyetoi vendimin për këto masa me rrezikun e fshehjes, ose arratisjes së të dyshuarve, pasi ata tash e dinë se për çfarë po hetohen.

Sipas gjykatës ekziston mundësia që të dyshuarit me anë të lidhjes me persona tjerë t’u bashkohen luftërave në Siri e Irak, duke u bërë kështu të paarritshëm për policinë ose prokuroritë kosovare.

Më 17 shtator nën akuza të ngjashme janë arrestuar edhe 15 individë tjerë, shumica prej tyre imamë. Deri tash shumë prej tyre janë liruar. /kallxo.com/