Edhe nënkryetarja Sahatqija: LDK duhet ta marrë postin kryeministrit

LDK duket se nuk e ka ndërmend të heq dorë në rishikimin e marrëveshjes së Bllokut dhe të marr postin e kryeministrit, pavarësisht se me marrëveshjen e 10 qershorit, Ramush Haradinaj është i nominuari i këtij koalicioni për postin e kreut të ekzekutivit. 

Lajme

16/11/2014 17:15

Zyrtarë të lartë të kësaj partie thonë se udhëheqjen e Qeverisë duhet ta marr LDK-ja konform madhësisë që ka dhe duke qenë se Kryetarin e Kuvendit nuk do ta kenë, meqë ai post i takon PDK-së, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatqija në një intervistë për KosovaPress, thotë se meqenëse Gjykata Kushtetuese ua pamundësoi zbatimin e plotë të marrëveshjes, u detyruan të kërkojnë rishikimin e saj. E, sipas saj, në këto zhvillime të reja, LDK-ja është ajo që duhet të marrë qeverisjen e vendit.

“Pasi Gjykata Kushtetuese e pamundësoi zbatimin e plotë të Marrëveshjes, ne u detyruam të kërkojmë rishikimin e saj dhe të krijojmë hapësirë për funksionalizimin e institucioneve. LDK konformë madhësisë së vet, në këto rrethana të reja, duhet të marr edhe përgjegjësinë në qeverisjen e vendit”, tha Sahatqija.

Ajo thekson se e rëndësishme është të vendosen themelet e një qeverisjeje të mbarë dhe se emrat e përveçëm në këtë çështje, nuk janë të rëndësisë primare.

“Neve na u imponuan rrethana të reja dhe partneret se bashku duhet të gjejnë zgjidhje së bashku. E rëndësishme është që të vendosen themelet e një qeverisjeje të mbarë që do të vendosë sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik në radhë të parë dhe këto premisa nuk duhen të ndërrohen. Ndërsa, emrat e përveçëm në këtë mes kanë rëndësi dytësore dhe mund të ndërrohen. Besoj se kjo është e rëndësishme për të gjithë partnerët e Bllokut dhe ka qenë arsyeja e themelimit te saj. Prandaj besoj se nuk do të duhej të ndikojë në funksionimin e Bllokut”, thotë ajo.

E, pyetur nëse në strukturat e partisë e kanë shqyrtuar emrin e Lutfi Hazirit, për kryeministër, meqë është përfolur në media, Sahatqija thotë se aktualisht nuk ka emër tjetër nga LDK-ja përveç Isa Mustafës për postin e kryeministrit.

“Sa i përket emrave të përveçëm nga LDK duhet ta dimë se ne deri me tani kemi nominimin e Z. Mustafa për Kryeministër dhe çfarëdo ndryshimi eventual duhet të kalojë nëpër filtrat e strukturave”, thotë ajo.

Edhe Sahatqija thekson se kërkojnë që të enjten të përfundojë seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sipas saj, tashmë nuk ekziston as edhe një pengesë për mbajtjen e seancës. Thotë se presin që Flora Brovina dhe PDK të jenë konstruktiv dhe të mundësojnë funksionalizimin e institucioneve.

Kështu, Kosova ka hyrë në muajin e gjashtë pa institucione. Fillimisht Isa Mustafa ishte kandidati i Bllokut për kryeparlamentar. E më pas, Blloku mori vendim që, pas pesë muajsh që nga mbajtja e zgjedhjeve, të heq dorë nga ky post duke vendosur që ta votojnë kandidatin e PDK-së për kryekuvendar. Megjithatë, Blloku vazhdon të insistojë që shumica parlamentare që ata e kanë, duhet ta formojë Qeverinë e re.