Edhe Lutfi Haziri e konsideron problem Asociacionin e Komunave Serbe

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri thotë se krijimi i Asociacionit do të jetë korridor territorial që do të depërtojë përmes brendësisë së Kosovës, në Juglindje të Kosovës dhe të lidhet me Serbinë. Po ashtu do të krijojë pushtetin e tretë drejt një autonomie territoriale

Lajme

25/08/2015 14:32

Lexoni statusin tij të plotë në Facebook:

Është koha që të përmbyllet tema e të ashtuquajturit Asociacion i Komunave me shumicë Serbe, të cilën serbët është hera e tretë që e qesin në tavolinën e bisedimeve që nga koha e UNMIK-ut dhe ish-kryeadministratorit Mihail Steiner, bisedimet e Vjenës dhe tash në Bruksel.

Nëntë vite pas bisedimeve të vështira të Vjenës për status final, ku decentralizimi ishte njëra nga shtyllat kryesore të procesit, kërkesa themelore dhe kryesore e delegacionit serb ka qenë i ashtuquajturi Asociacioni i Komunave Serbe me të drejta ekzekutive, të cilin kemi arritur ta faktojmë që nuk mund të jetë i tolerueshëm brenda Kornizës Kushtetuese të Kosovës dhe territorit të Republikës së Kosovës për arsye se krijon probleme në vendosjen e pushtetit të tretë në Kosovë, që çon drejt një autonomie territoriale dhe politike për qytetarët që jetojnë brenda territorit të Republikës së Kosovës, e që është definuar si pjesa veriore e Mitrovicës së Kosovës ku hyjnë edhe disa Komuna të tjera.

Problemi i dytë është që ky korridor lidhet me korridore të komunave që janë me shumicë serbe, e që depërton përmes brendësisë së Kosovës në Juglindje të Kosovës dhe lidhet territorialisht me Serbinë. Krijimi i një korridori territorial që kontrollohet me të drejta ekzekutive nga i ashtuquajturi Asociacion i Komunave prej veriut në Leposavic e deri në Dheun e Bardhë në Kamenicë, është jashtëzakonisht problematik në kuptimin zhvillimor, në kuptimin e planifikimit hapësinor dhe në kuptimin e funksionalitetit të shtetit. Edhe sot arsyet janë të njëjta, faktet janë të njëjta dhe besojmë shumë që nuk do të ndryshohet ky qëndrim i Republikës së Kosovës! LH