Edhe LDK i proteston kryeministrit Mustafa
Kryeministri Isa Mustafa, asesi nuk po mundet që të jetë i qetë në punën e zorshme në drejtimin e ekzekutivit të vendit. Pas protestave në të cilat po i kërkohet që të largojnë nga qeveria ministrin e Kthimit, Aleksandar Jabllanoviq, kryeministri javën e ardhshme do të përballet me një protestë të organizuar nga familjarët e të vrarëve të LDK-së.
Lajme
Kreu i Qeverisë nuk do ta ketë aspak të lehtë javën e ardhshme. Përveç vendimeve në nivel shteti për Trepçën, do të vazhdojnë protestat që kanë kërkesa për të, raporton KTV.
Të martën do të ketë një protestë të re kundër Jabllanoviqit, por po këtë ditë ai do të sfidohet edhe nga njerëz të partisë së tij.
Familjarët e aktivistëve të LDK-së të vrarë pas luftës do të organizojnë një protestë tek Sheshi Ibrahim Rugova, të martën në mesditë.
Në një njoftim publik thuhet se motoja e protestës është “Duam drejtësi – Vrasësit në burg”. Protesta mes tjerash organizohet nga familjarët e Enver Malokut, Tahir Zemajt, Xhemajl Mustafës, Ahmet Krasniqit dhe të tjerë.