Edhe kryetari i Kaçanikut përkrah kërkesën për shkarkimin e Pal Lekajt

Mbyllja e rrugës kryesore që lidh Prishtinën me Shkupin nga Ministria e Infrastrukturës për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe gurëve, po del të jetë problem për komunat që më së shumti i ka prekur ky vendim, atë të Hanit të Elezit dhe Kaçanikut.

Lajme

15/05/2018 12:09

Sot më herët, nënkryetari i Komunës së Kaçanikut, Ylber Bajra, përmes një letre të hapur drejtuar kryeministrit Haradinaj, kërkoi që ky i fundit së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, të vizitonin kryetarët e komunave në fjalë, ose në të kundërtën do të kërkojnë publikisht shkarkimin e ministrit, shkruan lajmi.net.

“Me ministrin dhe zv përkundër insistimit tim për komunikim ndër institucional nuk ia kemi dal të merremi vesh! Ju njoftoj se banorët e fshatrave të prekura të dy komunave kanë paralajmëruar protestë të dhunshme nëse sot deri ora 14.00 nuk gjendet zgjidhje. Duke ju besuar në plotni, parandaloni të keqen! Ju lutem merre ministrin e vizitoni sot kryetarët e komunave në fjalë! Në të kundërtën kërkoj publikisht shkarkimin e Pal Lekaj!”, ishte kërkesa e tij.

E këtë kërkesë të nënkryetarit po e përkrah edhe i pari i Kaçanikut.

Kryetari i kësaj komune, Besim Ilazi, për lajmi.net bëri të ditur se e mbështet një propozim të tillë të nënkryetarit për arsyen se ministri Lekaj nuk ka kontaktuar me ta për veprimet e ndërmarra.

“Në fakt e mbështes një vendim dhe propozim të tillë të nënkryetarit për një arsye të thjeshtë, për shkak se ministri në absolut nuk na ka kontaktu deri në këtë moment për asnjë veprim që është ba. Mbyllja ose as një paralajmërim se cila do të jetë alternativa për qytetarët të cilët do të jenë të izoluar, kështu që ajo pakënaqësi që është shprehur ka qenë edhe përgjigja e nënkryetarit në atë letër”, deklaroi Ilazi për lajmi.net.

Ilazi shton se ministri Lekaj para se të mbyllej ajo rrugë do të ishte dashur që të konsultohej me kryetarët e komunave që të gjindjet një zgjidhje alternative, dhe në situatën që është tani ai thotë se janë dy fshatra të izoluara.

“Do të duhej paraprakisht të na konsultonte që të bëjmë  zgjidhjen alternative pastaj ato rrugë të mbyllen, sepse atë rrugë nuk e ka goditur rrufeja sot dhe është dashtë të mirret vendimi në atë formë. Ajo rrugë që një vit ose dy ka qenë gjithmonë shqetësuese dhe ka pasur rrëshqitje të dheut dhe do të duhej që paraprakisht të na njoftonin dhe ne ta dinim që së paku cila është forma për të gjetë alternativë, për shkak se i kemi dy fshatra të izoluara për momentin dhe ne si komunë nuk kemi kapacatitete ta mbështesim nivelin qeveritar”, përfundoi Ilazi.

Ndryshe, rruga që lidh Kaçanikun me Hanin e Elezit ishte mbyllur për shkak të rrëshqitjeve të mëdha të dheut dhe gurëve ndërkaq që si rrugë alternative po shfrytëzohet  Doganaj, Glloboqic- Strazhë./Lajmi.net/