Edhe gruaja e Bidenit infektohet me COVID-19

Zonja e parë Jill Biden është infektuar me COVID-19, duke shfaqur simptoma të ngjashme me gripin të hënën vonë në mbrëmje, tha Shtëpia e Bardhë të martën. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha në një deklaratë, se zonja Biden “po përjeton vetëm simptoma të lehta” të koronavirusit dhe i është dhënë…

Bota

16/08/2022 18:38

Zonja e parë Jill Biden është infektuar me COVID-19, duke shfaqur simptoma të ngjashme me gripin të hënën vonë në mbrëmje, tha Shtëpia e Bardhë të martën.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha në një deklaratë, se zonja Biden “po përjeton vetëm simptoma të lehta” të koronavirusit dhe i është dhënë ilaçi Paxlovid. Zonja Biden rezultoi dy herë negative për COVID-19 në një test të shpejtë të antigjenit të hënën, por një test më i saktë i reaksionit zinxhir polimerazë më vonë doli pozitiv.

Ilaçi Paxlovid është i njëjti trajtim që mori bashkëshorti i saj, presidenti Joe Biden, kur së fundmi kontraktoi virusin dhe më pas pësoi gjithashtu një rast të dytë të infektimit.

Zonja e parë 71-vjeçare është vaksinuar dy herë kundër virusit dhe ka marrë dy herë vaksinën përforcuese.

Sipas udhëzimeve nga Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve të vendit, Jill Biden do të izolohet nga të tjerët për të paktën pesë ditë dhe njerëzit që kanë qënë në kontakt të ngushtë me të janë njoftuar, tha Shtëpia e Bardhë.

Çifti Biden dhe familja e tyre kanë pushuar ditët e fundit në një rezidencë pranë oqeanit Atlantik në Karolinën e Jugut në pronësi të një donatori të fushatës së Partisë Demokrate. Shtëpia e Bardhë tha se zonja Jill Biden do të kthehet në Uashington pasi të marrë dy teste të njëpasnjëshme negative për COVID-in.

Presidenti Biden rezultoi negativ për COVID-in të martën në mëngjes në një test antigjeni, tha Shtëpia e Bardhë. Por duke qenë se ai është në kontakt të ngushtë me gruan e tij, Shtëpia e Bardhë tha se ai do të mbajë një maskë për fytyrën për 10 ditë kur është në ambjente të brendshme dhe në afërsi me të tjerët./VOA