Edhe Grenell kishte thënë se Amerika nuk përfshihet në krijimin e Qeverisë

I Dërguari Special i Trumpit për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadori Richard Grenell kishte përjashtuar ditë më parë mundësinë që ndërkombëtarët të ndërhyjnë për të krijuar Qeverinë e Kosovës.

Lajme

28/01/2020 13:57

Ai ishte shumë i prerë në pyetjen e një gazetareje nëse qëllimi i vizitës së tij në Kosovë ishte për të lehtësuar arritjen e marrëveshjes ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së.

“Jo”, kishte thënë Grenell.

Madje, pas takimit që kishte me liderin e LDK-së, Grenell ishte edhe më specifik, duke përjashtuar çdo mundësi për t’u përfshirë në lehtësimin e arritjes së një marrëveshjeje.

“Dua ta përcjelli të njëjtin mesazh përsëri. Ne në Amerikë nuk jemi të interesuar të përfshihemi në krijimin e Qeverisë”, kishte thënë Grenell, i cili ishte i shoqëruar edhe nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Phillip Kosnett.

Por, pikërisht Kosnett dje është ftuar nga Lëvizja Vetëvendosje bashkë me ambasadorët e tjerë të shteteve të Kuintit për të marrë pjesë sot në takimin e tyre me LDK-në.

Megjithatë, duket se ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Phillip Kosnett, nuk do ta shpërfillë qëndrimin e përfaqësuesit të presidentit Trump, i cili kishte kundërshtuar ashpër çdo përfshirje të Amerikës në këtë proces.

Në mbi 100 ditë të negocimit ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së nuk ka pasur përfshirje direkte të ambasadorëve për t’i përafruar qëndrimet e dy partive.

Po ashtu, ambasadat e huaja në Kosovë janë rekomanduar që të mos përfshihen fare në procese të brendshme, meqë Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe liderët duhet të vendosin vetë për fatin e Kosovës.

Por, përkundër që përmes një qëndrimi publik shtetet e Kuintit deklaruan zyrtarisht se nuk do të përfshihen në negociatat për koalicion qeverisës, ato nuk kanë qartësuar nëse do ta bojkotojnë tërësisht takimin e sotëm ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së. /Lajmi.net/