Trupi gjykues në rastin e “Grupit të Drenicës” ka vendosur sot, që t`ia vazhdojnë paraburgimin edhe për dy muaj të tjerë të akuzuarve të këtij grupi.
Kryetari i trupit gjykues Dariusz Sielickika sjellë aktvendim për ta vazhduar paraburgimin deri më 24 janar 2014 për Sylejman Selimin, Sami Lushtakun, Sahit Jasharin, Avni Zabelin, Hysni Thaçin, Jahir Demakun dhe Zeqir Demakun.
Këtë e ka konfirmuar avokati mbrojtës i Sylejman Selimit, Tomë Gashi i cili ka mbetur i befasuar me këtë vendim.
Sipas tij, EULEX është duke u përpjekur që ta amortizojë mllefin kundër këtyre vendimeve me sjelljen e tyre të premteve, para vikendit.
“Vazhdon befasia e EULEX`it për komandantët dhe ushtarët e UÇK`së, thuaja se çdo të premte dhe para çdo fundjave. Sot kryetari i trupit gjykues z. Dariusz Sielicki ka sjellë aktvendim me të cilin i ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj, deri më 23 janar 2014, Sylejman Selimit, Sami Lushtakut, Sahit Jasharit, Avni Zabelit, Hysni Thaçit, Jahir Demakut dhe Zeqir Demakut”.
“EULEX`i me këtë është duke treguar se përveç sjelljes së vendimeve tepër të ashpra, jo të drejta dhe fyese për ish-komandantin e shtabit të përgjithshëm të UÇK`së dhe bashkëluftëtarëve të tij është edhe duke tentuar ta amortizojë mllefin kundër tyre vendimeve me sjelljen e tyre të premteve dhe thuaja se ditët e vikendit do ta zbusin padrejtësinë e hapët ndaj këtyre vendimeve shokuese”.
“Nga 31 maji këta komandantë dhe ushtarë të UÇK`së po mbahen në paraburgim me dyshime për kinse involvim në kryerjen e veprave penale, krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1998”.
“Ushtria, policia dhe paramilitarët serb gjatë vitit 1998-1999 vranë dhe masakruan mbi 15 mijë civil shqiptar dhe dogjën gjysmën e Kosovës”.
“Për këtë, asnjë serb nuk është duke u mbajtur në paraburgim as për një vikend. Neve si mbrojtje na mbetet të ankohemi dhe vetëm të ankohemi”, ka thënë avokati Tomë Gashi.