Edhe dy javë kohë për zgjedhjen e shefit të ri të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës

Pas dorëheqjes së Bashkim Smakajt nga pozita e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) më 16 janar, janë bërë shtatë ditë. Sipas ligjit duhen 20 ditë pune kohë që të zgjidhet drejtor i ri, Kështu që Presidencës dhe Kryeministrisë i kanë mbetur edhe 13 ditë pune që të zgjedhin shefin e ri të kësaj agjencie.

Lajme

27/01/2015 08:17

Në bazë të Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, drejtori i AKI-së duhet të emërohet brenda 20 ditëve të punës nga dita kur kjo pozitë mbetet e lirë.

“Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me kryeministrin emërojnë së bashku drejtorin e AKI-së brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”, thuhet në pikën 5.3 të nenit pesë të këtij ligji, që është miratuar në Kuvendin e Kosovës në maj të vitit 2008 dhe ku flitet për pozitën e drejtorit të AKI-së.

Aktualisht këtë pozitë është duke e ushtruar zëvendësdrejtori i AKI-së, Muharrem Ajeti. Ndërkohë që sipas Kushtetutës së Kosovës janë Presidenca dhe Qeveria ato që obligohen të emërojnë drejtorin e AKI-së.

Këshilltari i presidentes, Arbër Vllahiu ka thënë se presidentja do të veproj në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

“Presidentja e Kosovës do të veprojë në përputhje me lidhin dhe Kushtetutën e vendit dhe në afatin e përcaktuar ligjor do ta përmbyllë procesin e përzgjedhjes së drejtorit të ri të AKI-së, në bashkërendim edhe me kryeministrin e Kosovës, siç e parasheh edhe Kushtetuta e Kosovës. Zyra e presidentes respekton ndarjen e pushteteve, por gjithnjë duke bashkërenduar veprimet edhe me institucionet e tjera të vendit dhe është e gatshme t’u përgjigjet kërkesat e tyre”, ka thënë Vllahiu, shkruan sot Koha Ditore.