Edhe drejtori i PTK-së në “listën” e Thaçit

Posta dhe Telekomi i Kosovës, (PTK) shumë shpejt mund të mbetet të ketë drejtor tjetër. Kryeshfi i saj Ejup Qerimi që deri tani është parë në çdo tubim të Partisë Demokratike të Kosovë, ka vendosur të përfshihet drejtpërdrejtë në politikë. Ai në zgjedhjet që do të mbahen më 8 qershor, do të jetë pjesë e listës për deputet nga radhët e PDK-së.

Lajme

13/05/2014 11:00

Burime të gazetës “Tribuna” kanë bërë të ditur se Ejup Qerimi tanimë është pjesë e listës dhe do të jetë përfaqësues i komunës së Gjilanit, pasi edhe prejardhjen e ka nga ky vend. Mirëpo, për t’i hyrë “karvanit” politik dhe për t’i përvjelë mëngët në kërkim të votave, Qerimi duhet ta lë karrigen e kryeshefit të PTK-së. Sipas burimeve të gazetës, ai tanimë ka kërkuar edhe interpretim ligjor në Ministrinë Zhvillimit Ekonomik, ku edhe i është thënë se duhet të heqë dorë nga PTK-ja, nëse hynë në listë për deputet. 

E, për ta zënë venin e tij, sipas burimeve të gazetës, pretendent kryesorë janë: Kujtim Gazideda, këshilltar aktual i Qerimit, Elvis Pista, sekretar i korporatës dhe Nuredin Krasniqi, drejtor i financave. Gazeta ka kontaktuar gjatë ditës së hënë me Qerimin, e ai nuk e ka mohuar as pohuar këtë fakt se do të kandidojë për deputet. 

“ Nuk dua të flas asgjë për këtë punë”, ka thënë ai. Me këtë çështje nuk kanë preferuar të merren as në PDK. Në këtë subjekt politik nuk ka pranuar të thotë askush asnjë fjalë për kandidimin e Ejup Qerimit për deputet. Në listën e PDK-së për deputet nga komuna e Gjilanit, përveç Ejup Qerimit, do të jenë edhe Sabedin Kadriu, Qemajl Mustafa, Zenun Pajaziti dhe Salihe Mustafa.