Edhe deputeti i PDK-së, Azem Syla kërkon shkarkimin e Jabllanoviqit

Ish – komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës, Azem Syla ka komentuar rreth deklaratës së ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq, deklaratë kjo e cila nxiti shumë njerëz të dalin në protestë.

Lajme

01/02/2015 14:25

Syla, në një prononcim për KosovaPress, thotë se deklarata e ministrit Jabllanoviq po e rrezikon stabilitetin e shoqërisë në Kosovë.

“Deklarata e pamatur e ministrit të Kthimit dhe Komuniteteve Jabllanoviq ka kaluar përmasat e një deklarate të thënë me këtë apo atë rast, me një ose domethënie tjetër, duke rrezikuar stabilitetin e shoqërisë sonë, për të cilin kemi investuar mund, përpjekje dhe përgjegjësi me vite të tëra, së bashku me bashkësinë ndërkombëtare, e veçanërisht me miqtë dhe dashamirët e shtetit tonë dhe të perspektivës së tij për brezat e ardhshëm”, tha Syla.

Ai shton se Jabllanoviqi është mirë të vetëtërhiqet.

“Kjo deklaratë është bërë shkas që të bëhen protesta dhe të paralajmërohen të tjera në emër të shkarkimit të tij. Pavarësisht kërkim-faljes, ministri Jabllanoviq është mirë që të vetëtërhiqet nga përgjegjësia dhe në vend të tij të zgjidhet një përfaqësues tjetër i komunitetit të cilit i përket”, tha Syla.

Sipas tij, Kosova ka sfida të mëdha drejt integrimeve euroatlantike dhe nuk meriton që të destabilizohet dhe të kthehet në një vend ku imazhi i saj dëmtohet para opinionit publik vendor dhe ndërkombëtar.