Edhe Ban kërkon zgjidhjen e ngërçit politik

Situata e krijuar në Kosovë pas zgjedhjeve parlamentare është bërë shqetësuese edhe për institucionet ndërkombëtare. Së fundmi ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon, duke kërkuar nga të gjitha partitë politike në Kosovë që t`i formojnë shpejt institucionet.

Lajme

03/11/2014 10:18

Në raportin e radhës për Kosovën ai ka lavdëruar Policinë e Kosovës dhe sjelljet e bashkësisë Islame të vendit në raport me radikalizmin fetar.

Raporti, një kopje të së cilit e ka siguruar gazeta Tribuna u është dorëzuar gjatë vikendit shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit.

Aty shefi i OKB-së ka përshkruar zhvillimet në Kosovë prej 16 korrikut deri më 15 tetor të këtij viti. Raporti do të diskutohet nga shtetet anëtare në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit më 14 nëntor ku Kosova dhe Serbia do të përfaqësohen në nivel të ministrave të jashtëm.

“Jam tepër i shqetësuar për bllokadën e tejzgjatur politike në Prishtinë dhe në efektet negative që ajo mund të ketë në progresin e arritur deri më tash në zhvillimin e institucioneve dhe proceseve demokratike në Kosovë. Fuqishëm, inkurajoj të gjitha etnitetet politike në Kosovë, posaçërisht liderët e tyre që t`i intensifikojnë përpjekjet për të ndërtuar mbi zgjedhjet e 8 qershorit dhe që bllokada aktuale të tejkalohet”, ka shkruar Ban.