Edhe administrata paralajmëron grevë

Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës (SPAK) ka mbështetur kërkesën e sindikatave tjera për ngritjen e pagave, duke i quajtur si kërkesa të drejta dhe legjitime. 

Lajme

30/01/2015 13:23

Kryetari SPAK-ut Ndue Kalaj, ka thënë se në rast të mosplotësimit të kërkesës për rritje të pagave, kjo sindikatë nuk do t’i përjashtojë as masat sindikale, duke përmendur edhe mundësin e futjes në grevë.

Ai nuk ka saktësuar kohën se deri në çfarë date do të zgjas ky ultimatum ndaj institucioneve, por ka thënë se fillimisht do t’i shterin të gjitha format tjera, përfshirë edhe dialogun. 

“Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës (SPAK), dhe Federata Sindikale e Shërbyesve të Kosovës (FSSHK), përkrahin kërkesat e federatë sindikale të SBASHK-ut dhe të shëndetësisë së Kosovës me veprimet e tyre sindikale. Kërkesat e tyre janë edhe kërkesa tona”.

“Dy sindikatat tona e gjykojnë mosveprimin e kësaj qeverie e cila, edhe përkundër faktit që premtoi se në pagën e janarit të vitit 2015 do të realizohet së paku një kërkesë ligjore e cila ka të bëjë me pagesën e përvojës së punës, e cila është e paraparë që edhe me ligjin mbi pagat, por e paraparë edhe me marrëveshjen e Kontratës Kolektive, nuk e bëri atë”.

“Kërkesat tona janë të drejta dhe ligjore sepse mbështeten në ligj dhe akte nënligjore. Zbatimi i tyre është obligim për qeverinë”, ka thënë Kalaj.