Eddie Hearn zbulon mënyrën për Fury – Usyk: Unifikimi i titujve mund të bëhet
Eddie Hearn ka shpjeguar se si mund të bëhet dueli mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk, për unifikimin e titujve.

Sport
Shihej si punë e pamundur deri më tani me Anthony Joshua në lojë, por Eddie Hearn thotë se ka një mundësi që dueli për unifikimin e titujve të kampionit botëror në peshat e rënda në boks të bëhet.
Hearn thotë se ka të bëjë me paratë, por jo vetëm me ato. Boksierëve si Joshua dhe Whyte duhet t’iu tregohet plani. Kur mund të luftojnë ata për titujt?
“Ka shuma të mëdha parash në dispozicion. Dhe ka njerëz që duan ta bëjnë këtë të ndodh. Por, nuk ka të bëjë vetëm me para, ka të bëjë edhe me planin – AJ nuk do që dikush t’i jap paratë dhe t’i thotë ‘në rregull, shihemi më vonë”, ka thënë Hearn, transmeton lajmi.net.
“Ai dëshiron të dijë se cili është plani konkret, dhe e njëjta shkon për Dillian Whyte, ai ka pritur kohë të gjatë dhe nëse ai duhet të pres edhe disa muaj është në rregull, por si funksionon? Unë akoma mendoj se favorizohen dy meçe, por të shohim çfarë ndodh”, ka thënë promotori i Joshua.
Fury dhe Whyte nuk kanë caktuar akoma datën për meçin e tyre, ashtu siç nuk kanë bërë as Usyk e Joshua.
Mbetet të shihet se cili do të jetë dueli i madh i radhës të cilin do ta shohin adhuruesit e boksit. /Lajmi.net/