Ebola, konfirmohet rasti i parë në Spanjë, pesë në SHBA

Një infermiere, e cila ka trajtuar më parë, në një spital të Madridit, dy pacientë të prekur nga virusi ebola, është infektuar vetë me këtë virus vdekjeprurës. Lajmin e bënë të ditur për mediat dy zyrtarë të shëndetësisë dhe burime të ndryshme në vend.

Bota

06/10/2014 22:58

“Dy teste janë bërë dhe të dyja dolën pozitive”, tha për mediat një zëdhënës i Departamentit të Shëndetësisë në Madrid, transmeton shqiptarja.com.

Infermierja kishte qenë e përfshirë në trajtimin e një prifti misionar, Manuel Garcia Viejo, i cili kishte qenë në Sierra Leone dhe pasi u infektua u dërgua për kurim në spitalin Carlos III, ku vdiq më 25 shtator. Viejo ishte spanjolli i dytë që humbi jetën nga kjo sëmundje pasi një tjetër prift, Miguel Pajares vdiq në gusht pasi kishte rënë në kontakt me virusin në Liberi.

Autoritet spanjolle janë vënë në alarm pasi ky është rasti i parë që një person infektohet me virusin ebola brenda territorit të vendit. Jo vetëm vendet evropiane janë të shqetësuara në bllok për mundësinë e shpërhapjes së sëmundjes vdekjeprurëse në vendet e tjera të kontinentit.

Në SHBA, ndërkaq, është regjistruar edhe pacienti i pestë i prekur nga ky virus.