E vranë sepse shënoi autogol

Tash 20 vjet ishte vrarë futbollisti kolumbian, Andres Escobar. Arsyeja banale: kishte shënuar autogol në Botërorin e vitit 1994.

Sport

03/07/2014 11:07

Të shënojë autogol, nuk i pëlqen askujt, përpos ekipit kundërshtar. Tifozët ua marrin inatin përkohësisht futbollistëve që shënojnë autogola, por ajo që kishte ndodhur 20 vjet më parë, ishte vërtetë e pabesueshme.

Në fakt, futbollisti kolumbian, Andres Escobar ishte vrarë në vendlindjen e tij vetëm për shkak se kishte shënuar autogol në Botërorin 1994, i cili ishte mbajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke u munduar ta largonte topin, mbrojtësi i atëhershëm kolumbian, e kishte çuar atë në rrjetë, në ndeshje me SHBA-të.

Dhe, me t’u kthyer në Kolumbi, një tifoz i revoltuar në të, kishte shtënë për ta vrarë në vend. Kjo pa dyshim ishte njëra prej tragjedive më të mëdha të futbollit.