E vërteta brutale  

Evropa dhe Perëndimi i sotëm, nuk do të bënin asnjëherë atë çfarë në pranverën e vitit 1999-të, patën bërë në Kosovë dhe për Kosovën.

Opinion

16/01/2020 10:52

Blerim Shala

E dimë mirë ne, e di i tërë rajoni, e di gjithë Evropa dhe Bota çfarë ka ndodhë në Reçak, me 15 janar të vitit 1999-të.

Kjo ishte kryeporosia e dëgjuar ditën e mërkurë, në Reçak dhe në të gjithë Kosovën, në të gjitha ngjarjet ku u shënua një tjetër përvjetor i këtij krimi kundër njerëzimit, të bërë nga shteti i Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Ky konstatim që shfaqë qartësinë e plotë për një tjetër ditë të tmerrshme në luftën dyvjeçare në Kosovë e cila ishte mbushur me krime të këtij lloji, mbi të gjitha ishte një përgjigje historike dhe politike e politikanëve dhe qytetarëve të Kosovës, ndaj mohimit të Reçakut nga Presidenti i Serbisë dhe nga udhëheqësia e atjeshme.

E vërteta për këtë krim kësaj radhe, poashtu në reagim ndaj refuzimit të tij nga Beogradi zyrtar, u rikonfirmua edhe nga Ambasadat e pesë shteteve kryesore të Perëndimit në Prishtinë, dhe nga Brukseli zyrtar, në deklaratat për opinion.

Por, tej një konstatimi që sërish na rikthen në atë janarin e rëndë të vitit të fundit të okupimit të Kosovës, ndër ne, me të drejtë u përmend edhe fakti që Reçaku nuk është ndëshkuar me drejtësi, apo që kryesit e tij, nuk pësuan asgjë, apo, nuk ndodhi ai ballafaqimi i tyre me drejtësinë ndërkombëtare.

Pastaj, në vend që nga Beogradi, nga udhëheqësia e Serbisë, të vijnë në drejtim të Reçakut dhe Kosovës fjalët që njohin përgjegjësinë politike dhe historike për këtë krim, së bashku edhe me gatishmërinë për tu përkulur para varrezave të dëshmorëve, prej atje vijnë qëndrimet për mohimin e plotë të tij, apo, për klasifikimin e tij si një fabrikim të Amerikës dhe të shqiptarëve, me qëllim të provokimit të fushatës së Aleancës Veri-Atlantike.

Në fakt, dihet prej të gjithëve, dhe kjo është një tjetër e vërtetë që duhet të përsëritet ende, 21 vjet pas përfundimit të luftës, që Reçaku u bë sebep për organizimin e një Konference Paqësore në Rambouillet dhe në Paris  (shkurt dhe mars, 1999), dhe që vetëm dështimi i kësaj ndërmarrjeje ndërkombëtare, me një faj të qind për qindtë të pushtetit të atëhershëm të Serbisë, u bë shkaktar i sulmeve ajrore të Paktit NATO.

Sidoqoftë, e vërteta për ato dy vitet e luftës qëmoti ka marrë atë formën e vete finale, dhe askush, as në Serbi dhe askund tjetër, nuk mund ta ndryshojë ate.

Mbase, ky ka qenë rezultati më i mirë i mundshëm i Lëvizjes politike dhe ushtarake të shqiptarëve për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës: E vërteta për Kosovën, e njohur për ne për gati njëqind vjet, u bë një e vërtetë e pranuar kudo në Evropë dhe në Perëndim.

Po të mos ishte shfaqur në politikën ndërkombëtare në mënyrën më të qartë të mundshme kjo e vërtetë, në ato vitet e luftës, nuk kishte ndodhë kur e vërteta e çlirimit të Kosovës në verën e vitit 1999, dhe ajo e pavarësisë së Kosovës, në dimrin e vitit 2008.

Por derisa ne dhe gjithë Perëndimi, e dinim shumë mirë çfarë ndodhi në Reçak atë ditë, dhe më pas, çka ishte shumë e rëndësishme, çfarë duhet të ndodhë tutje në rrafshin ndërkombëtarë që të imponohej paqja në Kosovë dhe të zgjidhej çështja e Kosovës, situata ndryshon me themel, kur analizohen zhvillimet e tanishme në Kosovë, në rajon, në Evropë dhe në Perëndim.

Evropa dhe Perëndimi i sotëm, nuk do të bënin asnjëherë atë çfarë në pranverën e vitit 1999-të, pati bërë Perëndimi dhe Evropa.

Për më shumë, sikur njëzet e një vjet më parë, Kosova do të karakterizohej me gjithë këtë konfuzion dhe pështjellim politik çfarë është tani në fuqi, me gjasë, as ne nuk do të arrinim kurrë që ta bënin për vete SHBA-në, BE-në, Aleancën Veri-Atlantike.

Gjërat kanë ndryshuar pra shumë në deceniet e kaluara, nuk ka më të vërtetë të qëndrueshme politike as këtu tek ne, as në rajon, as në Evropë, rrethanat ndërkombëtare sot janë më të ndërlikuara, më të dëmshme për Kosovën, ndërsa ne ende nuk e kemi rrumbullakësuar në plotëni këtë rrëfimin për veten dhe për Kosovën, sepse nuk kemi siguruar ende qëndrueshmërinë e brendshme dhe atë ndërkombëtare, duke u bërë shtet anëtar i OKB-së, dhe duke siguruar rrugën për anëtarësim në NATO dhe në BE.

Këtë të vërtetë ende nuk e kemi bërë.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)