E tmerrshme: Viktima e dhunës seksuale po shkonte në gjykatë, dhunuesi ia vë flakën

Një vajzë 23-vjeçare nga India, viktimë e dhunës seksuale, ka vdekur në një spital në Neë Delhi nga djegiet që i pësoi pasi një grup personash, përfshirë dhunuesin e dyshuar, e lagën me kerozinë dhe ia vunë flakën përderisa ajo ishte nisur për të udhëtuar me tren për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore për rastin e dhunimit të saj.

Bota

07/12/2019 14:40

Ky sulm, i cili përbën rastin e dytë të dhunës së tmerrshme kundër grave në dy javët e kaluara, ka ngjallur reagime të ashpra në Indi.

Dr.Shalabh Kumar tha se vajza e dhunuar vdiq të premten pasi pësoi një sulm në zemër. “Ajo kishte pësuar djegie në 95 për qind të trupit, ndërsa mushkëritë i kishte të mbushura me tym helmues”, tha mjeku.

Kjo vajzë e kishte dorëzuar një ankesë në polici në mars të këtij viti, ku kishte raportuar se është dhunuar nën tytën e armës më 12 dhjetor të vitit të kaluar.

Sulmuesi i dyshuar fillimisht ishte burgosur, por ishte liruar javën e kaluar pasi e kishte siguruar masën e lirimit nën kushtin e dorëzanisë.

Rajoni Uttar Pradesh e ka numrin më të madh të popullsisë në Indi dhe në të kaluarën është dalluar për numrin e madh të rasteve të dhunës ndaj grave. Vetëm në vitin 2017, në këtë rajon janë regjistruar më shumë se 4200 raste të dhunës seksuale ndaj grave, shkruan “The Guardian”.