E tmerrshme: Burri rrëfen se pse i mbyti gruan me rrip
Tradhtia është bërë shkak për vrasjen makabër, të ndodhur ditën e djeshme në fshatin Shëngjergj, vetëm 40 kilometra larg Tiranës. Resmie Disha, 31 vjeç, u mbyt me rripin e pantallonave nga bashkëshorti i saj, Shkëlqim Disha.

Lajme
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 dhe menjëherë pas krimit, autori ka njoftuar në sallën operative të policisë. 37-vjeçari u arrestua më vonë në banesë, ku u gjet me trupin e viktimës.
Sipas policisë, mbytja e 31-vjeçares është bërë me rripin e pantallonave të Shkëlqim Dishës. 37-vjeçari shfaqi shenja pendese, duke kërkuar ndihmë te familjarët e tij për ta transportuar trupin e viktimës drejt qendrës spitalore të fshatit, por ishte e kotë, pasi bashkëshortja e tij kishte ndërruar jetë.
“Gruan e mbyta pasi më tha se më kishte tradhtuar gjatë kohës kur ishim të ndarë”, ka deklaruar para policisë Shkëlqim Disha, pak momente pasi kreu krimin. Resmie Disha është goditur në kokë më një dru dhe më pas është mbytur me rripin e pantallonave. Akti i rëndë ka ardhur pas një konflikti të çiftit të bashkëshortëve Disha.
Bashkëshortët, të dy me origjinë nga një fshat i Librazhdit, ishin martuar rreth 7 vite më parë. Vrasësi u prangos duke mos bërë rezistencë, ndërsa u mor në pyetje nga specialistë të krimeve të komisariatit të policisë nr.4 në kryeqytet. Krim i rëndë brenda familjes Disha ka lënë jetimë fëmijë të mitur, të cilët nuk kanë pranë asnjërin prind që të kujdesen për ta.